Nesër me fillim nga ora 18:00, Kombëtarja e Kosovës në stadiumin "Fadil Vokrri" do ta zhvillojë një ndeshje miqësore kundër San Marinos.
Një ditë para takimit, përzgjedhësi Bernard Challandes, ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur lidhur me ndeshjen.
Challandes tha se përzgjedhja e kundërshtarëve nuk është bërë për të ardhur më lehtë deri tek fitorja dhe për ta shpëtuar "kokën" e tij.
"Jemi Kosova dhe nuk mund të zgjedhim kundërshtarë cilët duam ne. Kemi luajtur dy ndeshje mjaft të vështira, ndaj Suedisë dhe Spanjës. Kemi gjetur kundërshtarë që do të mund të luanim më lehtë me ta. Në këto dy ndeshje mendoj që është mundësi e mirë. Shkojmë për fitore. Na shërbejnë edhe për të parë lojtarët e rinj. Kemi respekt për të dyja ekipet, edhe San Marinon edhe Maltën. Ideja eshte për të fituar. Nese mendoni se i kemi zgjedhur vetëm për të shpëtuar "kokën time" atëherë ju nuk dini asgjë për personalitetin tim".
Strategu zviceran tregoi edhe arsyet se pse nuk e ftoi Edon Zhegrovën.
"Puna ime si trajner është që të zgjedh lojtarët më të përshtatshëm. Unë i kam zgjedh katër sulmues anësorë, në secilën pozitë nga dy lojtarë Rashica, Kastrati, Bytyqi dhe Zeneli. Edon Zhegrova nuk është në këtë listë për këtë arsye. Gjithashtu, e njëjta arsye është edhe për Bernard Berishën”.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.