Ceremonia vjetore e Oscars do të transmetohet drejtpërdrejt në YouTube duke nisur nga viti 2029. Kështu kanë njoftuar organizatorët, duke shënuar fundin e një epoke më shumë se 50-vjeçare të transmetimit nga rrjeti televiziv ABC.
Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit bëri të ditur se marrëveshja me YouTube synon ta çojë ceremoninë e ndarjes së çmimeve më prestigjioze të filmit në një audiencë globale pa precedent.
Sipas CEO-së së Akademisë, Bill Kramer, dhe presidentes Lynette Howell Taylor, partneriteti i ri do të shfrytëzojë shtrirjen e gjerë të YouTube dhe do të krijojë forma të reja angazhimi për publikun, duke ruajtur njëkohësisht trashëgiminë e Oscars.
Rrjeti ABC, në pronësi të Walt Disney, do të vazhdojë të transmetojë ceremonitë e viteve 2026 dhe 2027, si dhe edicionin jubilar të 100-vjetorit në 2028. Kalimi përfundimtar në YouTube do të nisë në vitin 2029 dhe do të zgjasë deri në 2033, transmeton Klankosova.tv.
ABC ka transmetuar Oscars çdo vit që nga 1976, por vitet e fundit ceremonia ka pësuar rënie të shikueshmërisë për shkak të zhvendosjes së audiencës drejt platformave digjitale.
YouTube ka konfirmuar se transmetimi i Oscars do të jetë falas, me titra dhe audio në disa gjuhë, për ta bërë ceremoninë të aksesueshme për një audiencë sa më të gjerë globale. Platforma ka siguruar gjithashtu të drejtat për të transmetuar edhe evente të tjera të Akademisë, si Governors Awards dhe drekat zyrtare të të nominuarve.
●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.