Të mërkurën mbrëma zhvillohet një nga përballjet më vendimtare të çerekfinaleve në Superligën e Kosovës në basketboll.
Nga ora 20:00, në palestrën “Karagaçi”, Peja e pret Golden Eagle Yllin në ndeshjen e dytë të serisë.
Skuadra nga Suhareka vjen me epërsi 1-0 pas fitores në takimin e parë dhe është vetëm një hap larg sigurimit të gjysmëfinales, ku e pret Trepça.
Një tjetër triumf do ta mbyllte serinë që në ndeshjen e dytë. Në anën tjetër, pejanët hyjnë në këtë sfidë me objektiv të qartë, barazimin e serisë dhe shtyrjen e saj në ndeshjen vendimtare të tretë.
Ndërkohë, të enjten nga ora 19:30, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, zhvillohet dueli tjetër çerekfinal mes Sigal Prishtinës dhe Borës.
Bora ka bërë një hap të madh drejt gjysmëfinales pas një fitoreje bindëse në ndeshjen e parë dhe konsiderohet favorite për ta mbyllur serinë me dy ndeshje.
Fituesi i kësaj përballjeje do të ketë përballë në gjysmëfinale Bashkimin e Prizrenit, duke premtuar një tjetër duel të fortë në fazën vendimtare të kampionatit./Klankosova.tv
●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.