Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ka mbërritur sot në Tiranë, ku është pritur nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili njëkohësisht mban edhe postin e zëvendëspresidentit të UEFA-s.
Kryeqyteti shqiptar do të presë për herë të parë në histori mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të organit më të lartë të futbollit evropian, një ngjarje me rëndësi të veçantë për futbollin shqiptar dhe rajonin, transmeton Klankosova.tv.
Në agjendën e Çeferinit dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, përveç mbledhjes zyrtare, është parashikuar edhe pjesëmarrja në një festival futbolli për fëmijë që do të organizohet në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” në Tiranë, me praninë e përfaqësuesve nga federatat evropiane.
Ky aktivitet pritet të jetë një mesazh i fortë për rëndësinë që UEFA i kushton zhvillimit të futbollit në të gjitha nivelet, duke nisur nga gjeneratat e reja. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.