Ish-kryeshefi i Agjencisë për Integrim Evropian, Edon Cana, tha se shtetet kyçe si Franca dhe shtetet e tjera po e shkatërrojnë zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Cana, në Info Magazine në Klan Kosova, tha se këto shtete po e bëjnë këtë për interesa të brendshme politike.
"Mendoj që disa shtete kyçe si Franca dhe shtetet e tjera janë duke e shkatërruar zgjerimin në interesat e brendshme politike. Pra, politika e brendshme po e determinon procesin e zgjerimin dhe jo meritokracia dhe kjo është për të ardhur keq," tha Cana.
Ish-ambasadori i Kosovës në Bullgari foli edhe për samitin e BE-së, të mbajtur sot në Bruksel.
Ai e cilësoi këtë samit si të dështuar.
"Është një dështim total. Është anuluar edhe konferenca e përbashkët për shtyp. Nuk ka ndonjë indikacion dhe kjo tregon që Bashkimi Evropian është në një krizë të thellë dhe e ka vështirë ta tejkalojë këtë ngërç të procesit të stërzgjatur të zgjerimit, i cili në një formë e ka humbur momentumin. Ky proces po stërzgjatet dhe po kalon në një proces rutinor"- tha ai.
Përfaqësuesit e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, në të cilin morën pjesë liderët e 27 vendeve të Unionit, përfshirë presidentin e Këshillit të BE-së, presidenten e Komisionit Evropian dhe gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë samit ishte paraparë të diskutohej edhe për liberalizmin e vizave për Kosovën.
As pas këtij samiti nuk u dha ndonjë datë për heqjen e vizave për kosovarët.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek uncategorized dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.