Lajmet e fundit

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e vendit.
Ekipi i Klan Kosovës, përkatësisht gazetarja Gentiana Hasani, ka raportuar nga komuna e Çairit ku tha se në këtë komunë janë afro 60 mijë votues.
Hasani tha se nga Çairi nuk janë shënuar incidente që vlen të theksohen, përveç pirjes së duhanit nëpër qendrat e votimit.
“Faktikisht janë 10 qendra në të cilat votojnë qytetarët e Çairit, janë mbi 60 mijë votues në këtë zonë dhe i gjithë procesi ka shkuar pa ndonjë incident që vlen për t’u theksuar, por ka pasur disa incidente të vogla, ku disa zona janë hapur me vonesë vendvotimet”.
“Jemi në shkollën “Adem Jashari”, e cila numëron afro 10 mijë votues, ku në orët e para të mëngjesit nuk kishte fluks të madh. Siç ndodhë edhe në Kosovë, janë dy orët e fundit ato që e përcaktojnë rrjedhën dhe do të mund të bënin ndonjë përmbysje potenciale të rezultatit dhe njëjtë po vërehet edhe në shkollën “Adem Jashari”, ku ka një fluks më të madh të qytetarëve. Nga zyrtarët na është thënë se deri më tani kanë votuar rreth 40% e qytetarëve në Çair”, tha ajo në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Më tej, ajo tha se zona në të cilën ndodhet, është një ndër zonat më të ndjeshme për sa i përket pozicionit të kandidatëve për postin e presidentit, ku garojnë Bujar Osmani dhe Arben Taravari.