Futbollisti i kombëtares së Kosovës Zymer Bytyqi, ka folur për ndeshjen ndaj Rumanisë e cila do të zhvillohet të premten në Bukuresht.
Bytyqi tha se motivi tek "Dardanët" është i lartë, ndërsa shton se ai me shokë do të mundohen ta vazhdojnë serinë pozitive prej tri fitoresh radhazi.
Ai u gëzua shumë që u rikthye tek Kosova dhe është i gatshëm ta japë kontributin e tij nëse i jepet rasti.
Anëtari i CSKA Sofjes, uroi që "Verdhekaltrit" ta regjistrojnë një fitore që do t’ju ndihmojë që ta marrin primatin në grup.
"Jam shumë i lumtur dhe shumë i kënaqur që më kanë thirr përsëri, e kam ndjerë njëfarë malli për me qenë këtu me djemtë tanë dhe për të luajtur për Kombëtaren tonë. Tash jam këtu dhe jam shumë i kënaqur. Me ju tregu të drejtën, më duket se është sikur një fillim i ri, janë plot lojtarë të rinj që gëzohem me i njoftu",u shpreh ai.
Futbollistët e udhëhequr nga Franco Foda, po i zhvillojnë përgatitjet në Kampin Nacional në Hajvali për ndeshjet e nëntorit.
Ndeshja kundër rumunëve të premtën do të jetë edhe përcaktuese për vendin e parë në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.