Mesfushori i kombëtares së Suedisë, Besfort Zeneli, ka nënshkruar të martën me skuadrën liderë belge Union Saint-Gilloise dhe do të ketë të drejtë të paraqitet në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve klubi siguron kualifikimin.
Klubi njoftoi se 23-vjeçari Zeneli ka firmosur kontratë katër vjeç e gjysmë, pa bërë publik shumën e transferimit nga klubi suedez Elfsborg. Sipas raportimeve, vlera e marrëveshjes është rreth 3.5 milionë euro, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.
Zeneli pati paraqitje për Kosovën U21, por FIFA i dha dritën jeshile për të ndryshuar përfaqësuesen dhe për të luajtur për Suedinë, vend ku ka lindur. Ai debutoi me ekipin A të Suedisë vitin e kaluar.
Ai u aktivizua në të dyja ndeshjet e Suedisë në grupet kualifikuese për Kupën e Botës në nëntor, nën drejtimin e trajnerit të ri Graham Potter, në kuadër të përgatitjeve për plejofin e marsit. Suedia do të përballet me Ukrainën më 26 mars në qytetin spanjoll Valencia, ndërsa fituesi do të presë pesë ditë më vonë Poloninë ose Shqipërinë, në një duel ku luftohet për një vend në Kupën e Botës.
Union Saint-Gilloise renditet aktualisht e 27-ta nga 36 skuadra në Ligën e Kampionëve, vetëm një pikë larg zonës që siguron kualifikimin në fazën nokaut me 24 ekipe, e cila nis në shkurt.
Skuadra belge e mbyll fazën e ligës së Ligës së Kampionëve këtë muaj me një ndeshje si mysafir ndaj Bayern Munich, që renditet e dyta, dhe më pas pret Atalantën, e cila aktualisht është në vendin e pestë. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.