Bayern Munich e ka mbyllur vitin 2025 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke regjistruar një tjetër fitore bindëse në Bundesliga. Bavarezët triumfuan 0-4 në transfertë ndaj Heidenheim, në ndeshjen e 15-të të sezonit dhe të fundit për këtë vit kalendarik.
Goli i parë i takimit u shënua në minutën e 15-të. Pas një goditjeje nga këndi, Jonathan Tah devijoi topin me kokë, ndërsa Josip Stanisic ishte i saktë po me kokë për ta dërguar topin në rrjetë.
Avantazhi u dyfishua në minutën e 32-të, kur Michael Olise përfitoi nga një gabim në dalje i portierit shqiptar Diant Ramaj, duke realizuar golin e dytë për Bayernin. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-2 në favor të skuadrës mysafire.
Në minutën e 86-të erdhi edhe goli i tretë. Luis Diaz realizoi me kokë pas një asistimi nga Stanisic, duke vulosur praktikisht fitoren. Në minutat shtesë pati kohë edhe për golin e katërt, të shënuar nga Harry Kane pas një aksioni të bukur dhe asistimit të Serge Gnabry.
Me këtë sukses, Bayern Munich rrit diferencën në krye të tabelës, duke u shkëputur në 9 pikë nga vendi i dytë që mbahet nga Borussia Dortmund, një avantazh i konsiderueshëm që pritet të jetë i vështirë për t’u rikuperuar në pjesën e mbetur të sezonit.
●●●
LSHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.