Kampioni i Kosovës, Ballkani, ia ka dedikuar një postim prekës Lindon Emërllahut, futbollistit nga akademia e klubit i cili pasi u dëshmua teh suharekasit siguroi kalimin te gjiganti rumun, Cluj.
"FC Ballkani ka arritur marrëveshje për transferimin e Lindon Emërllahut te FC Cluj në Rumani, skuadër kjo me të cilën kemi raporte të shkëlqyera", njofton klubi fillimisht në postimin e tyre në Facebook.
"Falenderojmë nga zemra lojtarin fantastik, që nuk ka kursyer kurrë asgjë nga vetja për fanellën e klubit të tij të zemrës. I rritur e formësuar në Akademinë e FC Ballkanit, asi ynë ka dëshmuar se si me përulësi e punë të jashtëzakonshme, një futbollist shndërrohet në yll e në idoll të tifozëve".
Ballkani e quajti ikonë Emërllahun, dhe ia la hapur gjithmonë derën, pasi e konsideroi shembull për gjeneratat pasuese.
"Gjeneratat e reja sot e kanë modelin që duhet marrë shembull, rrugën që duhet ndjekur për të lënë gjurmë, jo vetëm në klubin e zemrës e qytetin e tij, por në ekipin kombëtar e më gjerë".
"Lindon Emërllahu do të mbetet ikonë e etapës më të ndritshme të FC Ballkanit, duke e pasur përherë të hapur derën e klubit dhe zemrën e çdo tifozi".
"Faleminderit kampion për çdo gjë që ke dhënë për FC Ballkanin, të priftë fati në skuadrën e re e sukseset mos t'u ndalshin. Ti gjithmonë je njëri prej nesh ".
Klankosova.tv mëson se Cluj ka paguar plot 800 mijë euro për mesfushorin e kombëtares së Kosovës, teksa Ballkani do të përfitojë 20% të shitjes së tij të parë nga klubi rumun.
Ky është rekord i ri në futbollin e Kosovës, pasi deri tani shitjet më të shtrenjta ishin ato të Albion Rrahmanit nga Ballkani drejt Rapidit të Bukureshtit dhe Muhamet Hysenit që kaloi nga Llapi te danezët e Horsens. Të dy kushtuan nga 600 mijë euro.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
L
SHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.