Borussia Dortmund ka forcuar rregullat e saj të brendshme duke ndaluar të gjithë familjarët nga zona e dhomës së zhveshjes pas incidentit të raportuar të së shtunës që përfshiu babanë e Jude Bellingham.
Duke kryesuar 3-1 ndaj St. Pauli në minutën e 85-të të hapjes së sezonit në Bundesliga, Dortmundi shpërdoroi epërsinë dhe barazoi 3-3.
Tensioni u rrit më shumë nga prindërit e Bellingham, Mark dhe Denise, të cilët u larguan të pakënaqur pasi panë djalin e tyre të zëvendësohej në pushim të ndeshjes në debutimin e tij në Bundesligë dhe pas përfundimit të ndeshjes në tunelin drejt zhveshtores kërkuan përballjen me trajnerin Kovac dhe drejtuesit e Dortmund.
Sipas Sky Sports Germany, Mark – që gjithashtu vepron si këshilltar i të birit – pati një bisedë emocionale me drejtorin sportiv të Dortmundit, Sebastian Kehl.
Raportet pretendojnë se babai i Bellingham shprehu hapur frustrimin e tij si për zëvendësimin e të birit, ashtu edhe për performancën e dobët të skuadrës.
Në anën tjetër, BILD shtoi se Mark Bellingham kërkoi takim direkt me trajnerin Niko Kovac – dhe ‘nuk e fshehu aspak mendimin e tij.’
Disa lojtarë të Dortmundit thuhet se vunë re frustrimin e madh që kishte babai i Jobe Bellingham.
Por, të dielën në mbrëmje, drejtori menaxhues i Dortmundit, Lars Ricken, u mundua ta minimizonte situatën duke insistuar se ‘nuk kishte problem’, por konfirmoi se një incident i tillë gjithsesi nuk do të ndodhë më, pasi familjarët tani janë të ndaluar nga ajo zonë.
“E morëm Jobe Bellingham sepse me prindërit kemi ndërtuar një marrëdhënie besimi ndër vite. Tani familja kishte fluturuar enkas për ndeshjen e parë të djalit të tyre në Bundesligë dhe donin ta takonin pas ndeshjes,” tha Ricken për Sky90.
“Por në të ardhmen do të sigurohemi që vetëm lojtarët, trajnerët dhe zyrtarët të kenë qasje në zonën e dhomës së zhveshjes, në mënyrë që të mos kemi më probleme me lajme të tilla.
“Sot gjithçka është zgjidhur – nuk kishte asnjë dramë të tepruar”, përfundoi deklarata e Ricken.
19-vjeçari Jobe Bellingham, i cili iu bashkua Dortmundit këtë verë në një lëvizje prej 32 milionë £ nga Sunderland, e nisi titullar ndeshjen e së shtunës në transfertë ndaj St. Pauli, por u zëvendësua në pushim nga trajneri kroat Niko Kovac, pas një pjese të parë jo kënaqshme.
Përndryshe Borussia Dortmund, dukej në kontroll me rezultatin 3-1, por pësoi dy gola në katër minutat e fundit dhe u largua nga Hamburgu me vetëm një pikë. /klankosova.tv
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.