Rrugën me synimin për ta mbrojtur titullin kampion, Ballkani e nis sot në stadiumin e qytetit në Suharekë.
Kundërshtari i parë ështē Dukagjini i Klinës, raporton Klankosova.tv.
Opinioni publik e njeh një histori interesante deklaratash të trajnerit aktual tē "Hithave", Ismet Munishit, ndaj homologut të tij, me të cilin ndeshet sot.
Njeriu që për 10 vjet ka drejtuar 9 skuadra në Kosovë, në mesin e të cilave edhe Ballkanin, njihet si një prej kritikuesve të timonjerit nga Tirana, sidomos pas humbjes 4-0 që suharekasit e pësuan në Razgrad të Bullgarisë, vitin e kaluar nga Ludogorets.
Bile, Munishi, për gjithë sukseset e viteve të fundit që Ballkani korri brenda dhe jashtë vendit, nuk ia njeh meritat maksimale trajnerit që drejtoi ekipin në këto triumfe, pasi disa herë e ka potencuar se njeriu që e ka ndërtuar skuadrën fituese të Ballkanit, është ai vet dhe jo Ilir Daja.
"Unë jam Cruyff i Ballkanit" shprehej vazhdimisht Munishi, duke e krahasuar vetën me holandezin që krijoi një frymë moderne te Barcelona.
Ndonëse jo kaq direkt si Ismet "baba", edhe Daja ka ditur të lëshojë "thumba" në drejtim të kritikuesve të tij, njofton Klankosova.tv.
Në kohën kur Munishi drejtone skuadrën e Ferizajit në Ligën e Parë, Ballkani siguroi pjesmarrjen e dytë radhazi në Conference League. Pas këtij suksesi, shefi i shtabit teknik të "Xhebrailave" tha se këtë fitore ia dedikon trajnerëve të Kosovës, të të gjitha kategorive.
Vetëm një javë para kësaj, tironsi lëshonte edhe një deklaratë me "spec".
Pasi mposhti me rezultat të thellë, skuadrën e madhe bjelloruse, Bate Borisov (4-1), Ilir Daja dërgoi selame për disa emisione sportive (ku pjesë e njërit prej tyre ishte edhe Munishi).
"Le të merren specialistët në studiot televizive me humbjen nga Ludogorets, pasi nuk po i zë gjumi në darkë", thoshte kreu i bankinës së kampionëve të Kosovës.
Kujtojmë që Ismet Munishi u shkarkua nga Ballkani në dhjetor të 2020-ës. Pas tij u emëruan edhe tre trajnerë të tjerë, dy prej të cilëve poashtu i përcolli fati i tij (Bledi Shkëmbi dhe Bekim Isufi).
Më 5 janar 2022, zyrtarizohet Ilir Daja. Me të në udhëheqje të skuadrës, suharekasit fituan tre herë rresht kampionatin e Kosovës, triumfuan në Kupë dhe Superkupë, kurse u kualifikuan dy herë në fazën e grupeve të UEFA Europa Conference League.
Suksesin e njejtë po e synojnë edhe këtë vit, anise rruga iu ka vështirësuar, pas humbjes 0-1 nga Larne në "Fadil Vokrri".
Ndryshe, Ballkani - Dukagjini fillon në orën 17:00 dhe transmetohet direkt në ArtMotion.
●●●
KRSHKRIMI NGA
kushtrim reshitaj
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.