Novak Gjokoviq, ka të gjasa të ketë sukses nëse ai aplikon për vizë për në Australi, për hapjen e sezonit të tenisit vitin e ardhshëm, ka deklaruar një avokat imigracioni me bazë në Melburn.
“Kjo mund të jetë e thjeshtë. Duhet shkruar Forcës Kufitare Australiane, dhe t’i shpjegohen rrethanat e tij të jashtëzakonshme, duke kërkuar që të hiqet çdo ndalim për ri-hyrje”, ka shtuar ai.
Gjokoviq, është 21 herë kampion i Grand Slam. Serbi nuk u lejua të mbronte titullin e tij në Australian Open këtë vit, pas një periudhe të trazuar ligjore 10 ditëshe mbi statusin e tij të vaksinimit kundër COVID-19. Si pasojë e kësaj edhe viza e tij, u revokua në prag të turneut.
Ai, mund të përballet me një periudhë përjashtimi deri në tre vjet, por zyrtarët e Forcave Kufitare Australiane kanë thënë se ato mund të hiqen në rrethana të caktuara dhe çdo rast do të vlerësohet në bazë të meritave të tij, shkruan AP, transmeton KlanKosova.tv.
Rasti i Novak, ndodhi kur mbërriti në Aeroportin e Melburnit, si lojtari më i spikatur i tenisit në botë me një vizë që kishte marrë në internet. Ai besonte se mund të ishte një përjashtim mjekësor nga ligjet strikte të Australisë për udhëtarët e pa vaksinuar.
●●●
LSHKRIMI NGA
LiZe
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.