Sot u promovuan dy librat e autores Mihane Hoxha, për ditëlindjen e 80- të të babait të saj, i cili njëherit është edhe personazhi kryesor në njërin prej veprave.
“Rrënjët e pa shkëputura (rrëfimet e babës)” - sjell përjetimet e personazhit të gjallë nga periudhat më të vështira në Kosovë (nga viti 1945 e deri më tani) – mungesën e ushqimit, gjendjen e dobët ekonomike, traditat dhe zakonet, migrimet në Gjermani, Zvicër dhe Bosnje e Hercegovinë, luftën e Kosovës, jetën e refugjatëve dhe shumë sfida të tjera.
Këto rrëfime tregojnë durimin, forcën dhe shpresën e njerëzve tanë, duke ruajtur kujtimet dhe lidhur brezat me historinë e tyre.
Ndërsa, libri “Eva, tokësorja”, i dedikohet gruas nëpërmjet Evës, si figurë simbolike. Ku, poezitë përpiqen të tregojnë sfidat, forcën dhe lirinë e gruas nëpër shekuj dhe në kohën moderne, duke reflektuar ndjenjat, dëshirat dhe përvojat që formojnë çdo njeri.
Ky libër është një përpjekje për të kapur ato momente të brendshme, për të shprehur emocionet dhe dilemën e të qenit grua, në një botë që shpesh e kufizon.
Pra, tregon jo vetëm për pengesat apo sfidat, por edhe për forcën, vetëdijen dhe mundësinë për të qenë e lirë dhe e vërtetë.
“Eva, tokësorja” është një udhëtim shpirtëror që synon të kapë ndjenjat më të thella, duke treguar jo vetëm pengesat, por edhe forcën, vetëdijen dhe mundësinë e gruas për të qenë e lirë dhe autentike.
Dy libra, dy zëra të fuqishëm – njëri që sjell historinë kolektive përmes përjetimit personal, e tjetri që i flet shpirtit të çdo gruaje.
Promovimi i tyre në një ditë të mbushur me simbolikë i jep veprave një peshë edhe më të madhe, duke i kthyer ato në urë mes së kaluarës, të tashmes dhe së ardhmes.

●●●
AHSHKRIMI NGA
Alberta Hyseni
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.