Nesër në Prishtinë do të promovohet libri me titull “Rreshtat e bardhë” që sjell rrëfimet e një grupi autorësh të verbër.
Në këtë libër janë të përfshira 11 tregime të 11 autorëve pjesëmarrës të cilët rrëfejnë pjesë nga jeta dhe përvojat e tyre personale.
Koordinatori dhe bashkautori i këtij projekti nga organizata joqeveritare “Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës”, Betim Bregovina, ka thënë për klankosova.tv se ky libër ka për synim të jetë motivues.
“Të 11 autorët të cilët janë të moshave mes 17 dhe 60 vjeçare me profesione dhe përvoja të ndryshme, dikush me punë e dikush pa punë, i kemi ndarë përvojat tona përmes rrëfimeve personale dhe synimi ynë ka qenë që libri më shumë të jetë i karakterit motivues”.
Bregovina ka theksuar se të ardhurat nga shitja e këtij libri do të përdoren për projekte të ngjashme brenda organizatës.
“Këtë libër do të provojmë ta nxjerrim në shitje me afërsisht 200 apo 230 ekzemplarë ku mjetet e grumbulluara do t’i shfrytëzojmë për projekte të ngjashme apo edhe nevoja të organizatës, meqenëse organizata jonë nuk ka shumë kohë që është themeluar dhe nuk ka buxhet apo burime të vazhdueshme financiare dhe bazohet vetëm në projekte afatshkurtra”.
Ai ka treguar se ky është libri i tretë në Kosovë që është botuar në katër forma të shkrimit.
“Shkrimi standard A5 që është libri për publikun e gjerë të lexuesve, pastaj është libri me shkronja të zmadhuara A4 për persona me shikim të dobësuar, incizimi audio për personat e verbër dhe ata që kanë probleme me leximin, si dhe formati Brajl për ata që janë totalisht të verbër dhe lexojnë përmes pajisjeve”.
Ky libër, që është financuar nga Komuna e Prishtinës - Departamenti për Kulturë, Rini dhe Sport, do të promovohet nesër duke filluar nga ora 14:30 në një nga kafiteritë e Prishtinës.
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.