Nepali ka një histori shokuese në barazinë gjinore. Forumi Ekonomik Botëror e ka renditur republikën himalajane në vendin e 121-të nga 136 shtetet në “Indeksin e Hendekut Gjinor Global”. Këtu, gruaja konsiderohet pronë e dikujt tjetër.
Dhuna ndaj gruas është e përhapur dhe kushtetuta e shumëpritur e Nepalit ua mohon grave të pamartuara të drejtën që t’i kalojnë shtetësinë e tyre fëmijëve. Kjo e bën faktin se heroina e re ndërkombëtare e sportit të Nepalit mban një fund, edhe më të çuditshëm.
Në fshatin Sanu Duma, në rajonin e ngritur mbi nivelin e detit të Nepalit Lindor, mundësia nuk u jepet kurrë vajzave. Ndërsa vëllezërit e saj shkuan në shkolla, nga Rai pritej që ajo të qëndronte në shtëpi dhe të bënte punët. Më pas, ajo duhej të martohej dhe të kishte fëmijë. Rai, megjithatë, kishte ide të tjera.
“Vrapoja për në treg – tre orë larg shtëpisë – për të blerë qese orizi, më pas vrapoja prapë për në shtëpi dhe i shisja duke fituar diçka”, thotë ajo, me një buzëqeshje nostalgjike. Ajo harron të përmendë se qeset e orizit peshonin 28 kilogramë dhe ajo ishte vetëm 11 vjeçe.
Në vitet e adoleshencës, ajo qe bërë – sipas prindërve të saj – një person i vështirë për t’u menaxhuar, por ndërsa një 14-vjeçare rebele në Perëndim mund ta shprehë këtë duke pikturuar dhomën me të zezë, ose duke vënë vathë, Rai e shprehu rebelimin e saj duke iu bashkuar guerilasve maoistë të Nepalit. “I thashë sime mëje se po shkoja për në kamping”, kujton ajo. “Nuk e kontaktova më për shtatë muajt e ardhshëm”.
Më pas, ajo mësoi se e ëma ishte përpjekur të vetëvritej pas mungesës së saj. “Ajo nuk ia dilte dot me punët e shtëpisë”, tallet Rai, por me këto komente zbulon forcën që e ka çuar këtë 26-vjeçare në krye të lojës që bën.
Kur Rai u përfshi në radhët e guerilasve në vitin 2003, kohë kur maoistët ishin në ilegalitet e arrati, ushtria nepaleze, mbështetur nga SHBA, India dhe Britania e Madhe, ishin në veprim në këtë territor. Ekzekutimet në masë, torturat dhe zhdukjet ishin të shumta dhe Rai e përshkruan këtë si një kohë e pasigurisë së vazhdueshme dhe që ishte shumë e rrezikshme.
Por ç’ka i bëri përshtypje kësaj fëmije të rrallë ishin qendrat e sporteve të kryengritësve. “Ata luanin futboll, volejboll dhe ushtronin atletikë”, thotë ajo. “Mundësi të mrekullueshme”.
Kur lufta përfundoi në vitin 2006, ajo iu bashkua një programi rehabilitimi të qeverisë dhe vazhdoi të vraponte për qejf. Gara e saj e parë ishte një event 21 kilometra. Pa para për ushqim, ajo vrapoi me stomakun bosh dhe i ranë të fikët 400 metra përpara vijës së finishit.
Kur ajo u shpërngul në Kathmandu, një organizatë bamirësie e një mësuesi karateje, i dha mundësinë asaj të vazhdonte të vraponte. E instruktuar nga telefoni, ajo stërvitej në rrugët e kryeqytetit, një nga segmentet më të ndotura të Azisë.
Më pas, ajo zbuloi garat tmerruese prej 80 kilometrash e më shumë në terrenin ekstrem malor. Gara e saj e parë, një event në Luginën Kathmandu, ishte në mars 2014. Ajo u paraqit e uritur dhe me një palë atlete që kushtonin vetëm 4 dollarë.
Vrapuesi japonez, Miki Apreti, kujton një vajzë të buzëqeshur dhe të papërgatitur për nga pajisjet për të vrapuar në një xhungël të tillë. Në gjysmë të rrugës, kur ishte gati duke humbur ndjenjat, Rai mori 50 cent borxh për të blerë makarona dhe një karton lëng portokalli. Dhe më pas fitoi garën.
Organizatori i eventit, Richard Bull, e dinte se kishte gjetur një talent. “E pyeta se çfarë i nevojitej për të vazhduar stërvitjen”, thotë ai. “Ajo donte vetëm para të mjaftueshme për ushqim”.
Pas këtij organizimi, ajo më pas mori pjesë në garën 200 kilometra të Nepalit dhe e fitoi atë. Organizatori Bull pati plan ta çonte në garat e Europës. “Ishte një kohë e frikshme”, thotë ai. “Viza e saj mbërriti vetëm gjashtë orë përpara se ajo të fluturonte. Më pas, kuptuam se ajo nuk kishte qenë ndonjëherë në ndonjë avion”.
Që atëherë, Rai ia doli të fitonte dy gara. Fitoret në Hong-Kong dhe në shtatë evente të tjera sportive pasuan. Këtë vit, ajo hyri në një garë botërore prej 83 kilometrash. Është një nga garat më të vështira në botë dhe ajo fitoi duke mbaruar 21 minuta më shpejt se koha e caktuar.
Me një marrëveshje sponsorizimi dhe me potencialin për t’u bërë atletja e dytë më e famshme nga Nepali, pas Sherpa Tensing, e ardhmja e Mira Rai duket gjithnjë e më e ndritur.
Ajo buzëqesh, por më pas bëhet serioze kur thotë “e fillova vrapin për t’ia mbathur nga e ardhmja ime”./Gazetashqip

