Asnjë ekip nuk kishte arritur të bëjë diçka të tillë në NBA.
Historia 69 vjeçare e ligës më të fortë në botë, që u themelua më 1946, nuk njohu, deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndonjë ekip që arrin të shënojë 16 fitore rresht në fillim të sezonit.
Këtë e bëri Golden State Warriors, mesnatën e së martës dhe mërkurës, kur shkatërroi Los Angeles Lakers-in e famshëm, 111 me 77.
"Është një e arritur e madhe të bësh dicka që nuk është bërë asnjëherë më parë", tha pas ndeshjes Stephen Curry, lojtari më i mirë i klubit fitues.
E një tjetër basketbollist, që deri para pak viteve ishte padiskutueshëm numri një në NBA, Kobe Bryant, u shfaq më tepër si vrojtues, sesa pjesëmarrës, në këtë ngjarje historike, sikur edhe krejt ekipi i tij, Lakers.
Ai shënoi vetëm 4 pikë në takim, me një përqindje të pabesueshme nga loja. Kobe qëlloi vetëm 1 nga 14 gjuajtjet, duke regjistruar rekordin më të keq në ndeshjet ku ai të paktën ka shënuar një kosh.
"Edhe po të shënoja 80 pikë, sonte asgjë nuk do të ndryshonte", tha ai, raporton AP, transmeton Klan Kosova.
Me gjithë rekordin, zëvendëstrajneri i Golden State, Luke Walton tha se humbja, një ditë do të vijë.
"Është gjë e natyrshme të pësosh, në një moment ta caktuar", deklaroi ai.
Por, me këtë stil e frymë lojë, zor se Warriors do të pësojnë.
"Dyshoj, shumë dyshoj se kjo do të ndodh së shpejti", ka thënë Curry.
Pro kolegut, e kundër trajnerit është edhe lojtari tjetër i liderëve të NBA, Klay Thomspon.
Sipas tij, grupi i veterënavë në ekip, ku ka edhe shume yje të reja, nuk do të lejojë këta të fundit të lëshojnë pe.
"Ajo që kemi bërë është nje porosi të cilën ia dërgojmë krejt ligës se ne jemi këtu për të qëndruar një kohë goxha të gjatë", shtoi Thompson.
Në fakt, Warriors, qysh në ndeshjen e parafundit, të luajtur të hënën mbrëma, e kishin barazuar rekordin për më së tepërmi fitore në start të sezonit. Deri këtë natë, ishin Washington Capitals dhe Houston Rockets që kishin fituar 15 ndeshjet e para të kampionatit të ri. Të parët e bënë këtë në sezonin 1948-1949 ndërsa të dytët gjatë garave 1993-94.
https://www.youtube.com/watch?v=EZEq8s1lgY8
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.