Të shtunën, më 1 janar 2022 nga ora 14:00 në Klan Kosova dhe Art Sport 1 në Artmotion, ASISTI 477 – FESTIV i pari në vitin 2022 do të rikujtojë atë që ka ndodhur në basketbollin kosovar dhe ndërkombëtar gjatë vitit që po e lëmë pas.
Speciale do të jenë intervistat me personalitetet e vitit në basketbollin femëror dhe të meshkujve.
Përmbledhjen vjetore në ASISTIN FESTIV do ta fillojmë me basketbollin femëror i cili gjatë vitit 2021 pati disa ngjarje historike, ndër të cilat veçojmë debutimin e Përfaqësueses A të femrave dhe themelimin e Ligës Unike për Femra.
Cili ishte klubi që dominoi basketbollin femëror dhe cila lojtare u shpall nga ASISTI si Personaliteti i vitit 2021 i basketbollit femëror? – Këtë ju shpalos asistuesja Ulpiana Emra e cila ka përgatitur intervistë shumë speciale me gruan e cila shënoi vitin në basketbollin kosovar.
Në basketbollin e meshkujve një skuadër gjithashtu shënoi hat-trick të trofeve dhe ky sukses ishte historik jo vetëm për klubin, por edhe për basketbollin mbarëkombëtar shqiptar në përgjithësi pasi kjo skuadër u bë kampione e parë në histori të garave që bashkuan sportin e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Engjëll Bërbatovci sjell bisedën simpatike me arkitektin e këtij suksesi i cili nga ASISTI shpallet Personaliteti i vitit 2021 i basketbollit të meshkujve.
Në pjesën e tretë të emisionit vjen blloku më unik dhe i dashur në ASIST: Shqiptarët në botë.
ASISTI FESTIV edhe sivjet rikujton sukseset e basketbollistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare, kurse gjatë 2021-ës ishte një emër që shkëlqeu më shumë se gjithë të tjerët: Edon Maxhuni.
Krejt në fund të fluturimit basketbollistik numër 477 në ASIST do të shikojmë përmbledhjen nga liga më e fortë rajonale evropiane ABA League, elita e basketbollit evropian EuroLeague dhe natyrisht ajka e basketbollit botëror NBA.
Të shtunën, me 1 janar nga ora 14:00, Programi i Sportit në Klan Kosova dhe Artmotion sjell ASISTIN 477 FESTIV me porosinë e asistuesit tuaj Agon Fehmiut: “Shumë shëndet, lumturi dhe natyrisht edhe në vitin 2022 zemrat tuaja t’i ngrohë dashuria maksimale për basketboll”.
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.