Pasi kaluan me vështirësi Connah’s Quay Nommads, kampionët e Prishtinës do të kenë një ndeshje akoma më të vështirë në letër përballë.
“Plisat”, të enjten me fillim nga ora 20:00, do të duelojnë me kampionët norvegjezë të Bodo/Glimt të cilët janë vetëm një herë kampion të shtetit të tyre.
Kjo ndeshje, si të gjitha të tjerat të skuadrave tona në gara ndërkombëtare, transmetohet live dhe ekskluzivisht në Art Sport 1 dhe Klan Kosova.
Gjyqtarë të kësaj sfide do jenë qipriotët Timotheos Christofi, Michael Soteriou, Pavlos Georgiou dhe Vasilis Dimitriou, ndërsa komentator i ndeshjes Jon Ajeti.
Të dy skuadrat, si Prishtina e poashtu edhe Bodo/Glimt, kanë nisur garat evropiane në UEFA Champions League, por pastaj janë eleminuar nga aty dhe tani po provojnë të futen në grupet e kompeticionit më të ri të organizuar nga UEFA, pra Conference League.
Në raundin e dytë eleminator, Bodo/Glimt eleminoi islandezët e Valurit me rezultat të përgjithshëm 6-0 duke fituar të dy takimet si vendase dhe mysafire me rezultatin e njëjtë 3-0. Nga ana tjetër, Prishtina hasi në vështirësi të mëdha në Uells ku për pak sa nuk u befasua, kryeqytetasit fituan 4-1 në Prishtinë teksa humbën 2-4 në udhëtim për t’u kualifikuar tutje me rezultat të përgjithshëm 6-5.
Vlera e përgjithshme e skuadrës së Bodo/Glimt është 13.8 milionë euro, ndërsa lojtari i tyre më i shtrenjtë është norvegjezi Patrick Berg i cili luan në pozitën e mesfushorit dhe bart shiritin e kapitenit.
Vlera e përgjithshme e kosovarëve është 3.55 milionë euro, teksa futbollisti me kartonin më të shtrenjtë është veterani Gledi Mici që kushton 250 mijë euro.
Kjo është arritja më e madhe e Prishtinës në garat e UEFA-s pas mëvetësimit të futbollit të Kosovës, kurse Bodo/Glimt arritjen më të madhe e kishin edicionin e kaluar kur shkuan deri në turin e tretë kualifikues për t’u eleminuar aty me rezultat të ngushtë 3-2 nga gjiganti Italian, AC Milan.
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.