Arsenali do të jetë pa dy lojtarë të rëndësishëm në ndeshjen e fundjavës ndaj Fulhamit, pasi Kai Havertz dhe Jurrien Timber janë të lënduar.
Gjithashtu, ka dyshime për gjendjen fizike të kapitenit Martin Odegaard, i cili u detyrua të largohej nga fusha gjatë gjysmëfinales së parë të Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit të mërkurën.
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, nuk ka mundur të konfirmojë nëse Odegaard do të jetë gati për ndeshjen e fundjavës, transmeton Klankosova.tv.
Arsenali hyn në këtë ndeshje me një avantazh prej tre pikësh ndaj Manchester Cityt dhe mund ta rrisë diferencën në gjashtë pikë nëse arrin të fitojë përpara ndeshjes së Cityt kundër Evertonit të hënën.
Përveç kësaj, “Topçinjtë” do të presin Atletico Madridin të martën në “Emirates” për ndeshjen e kthimit të Champions League, pas një barazimi 1-1 në takimin e parë në Madrid.
Arsenali shpreson që Kai Havertz të rikthehet para fundit të sezonit, ndërsa Timber pritet gjithashtu të kthehet së shpejti.
Nga ana tjetër, Bukayo Saka u aktivizua nga stoli në ndeshjen e fundit ndaj Atletico Madridit, ndërsa Riccardo Calafiori ishte në listën e zëvendësuesve pas rikuperimit të tij nga dëmtimi. /Klankosova.tv
●●●
KGSHKRIMI NGA
Kasim Gerbeshi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.