Në 30 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit Lasgushi Poradeci, dy vajzat e tij Marie e Kostandina i dhuruan të gjithë dorëshkrimet e poetit Arkivit Qendror të Shtetit të Shqipërisë, duke çuar në vend amanetin e babait, transmeton Klan Kosova.
“Në korrespondencën me Mitrush Kutelin që kemi botuar babi i shqetësuar i thotë në një letër, e cila përmban dëshirën, ku zë fill zanafilla e dorëzimit të këtij arkivi në Arkivin Qendrore të Shtetit. “I dashur Dhimitraq, -i thotë, dorëshkrimet e mia mos u nxito t’i japësh në Akademinë në Rumani. Kujdestarja e tyre të jetë mëma Shqipëri. Këtë dëshire kam”.”, tregon Marie Gusho, e bija e Lasgush Poradecit.
“Është një moment i dhimbshëm kur ndahesh, por unë besoj se është një ndër ato ndarjet për të mos u ndarë asnjëherë, sepse që nga momenti që i dorëzohen institucionit qendror shtetëror që ruan arkivat e dokumentacionin më të rëndësishëm sa i përket historisë së vendit dhe shumë elementeve kulturore të tij, në fakt ia kemi dhënë përjetësisë së kujtesës kolektive të kombit”, shprehet ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.
Ndërsa Drejtor i Arkivit Qendror të Shtetit, Ardit Bido, shprehet se “Lasgush Poradeci nuk ishte thjesht një shkrimtar. Lasgush Poradeci ishte “Lasgushi” dhe si i tillë ai mund të përjetësohet vetëm nëse arkivat e tij, mendimet e tij, letërkëmbimi i tij, ditarët e tij mund të jenë të aksesueshme për të gjithë, duke pasuruar Arkivin Qendror të Shtetit me gjithë këtë material voluminoz e cilësor njëkohësisht.”
Arkivi i dhuruar përmban dorëshkrime, fotografi, kartolina, revista e gazeta, harta, kartëmonedha të grisuara, dekorata e deri te partitura, të cilat dy vajzat e tij i kanë ruajtur me fanatizëm e që tani mund të përdoren gjerësisht nga studiuesit për të mësuar më shumë mbi figurën e Llazar Gushos, shkruan Topchannel.
https://www.youtube.com/watch?time_continue=30&v=PIx6bbPRteo
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haliti
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.