Mesfushori 21-vjeçar i Hoffenheimit, Leon Avdullahu, ka vendosur të përfaqësojë Kosovën, vendin e origjinës së prindërve të tij, duke braktisur mundësinë për të luajtur me Zvicrën. Lajmi u konfirmua mbrëmjen e së hënës nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përmes një postimi në Instagram.
Vendimi i Avdullahut vjen vetëm pak ditë para përballjes së madhe mes Kosovës dhe Zvicrës, më 5 shtator në Bazel, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026. Ky takim do të jetë i veçantë për mesfushorin, i cili u rrit dhe u formua si futbollist pikërisht te klubi i Bazelit, para transferimit këtë verë te Hoffenheim për shumën prej 8 milionë eurosh, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.
Federata e Futbollit të Zvicrës reagoi menjëherë, duke shprehur zhgënjimin për zgjedhjen e tij. “Jemi të mërzitur që ai tani dëshiron të ndjekë një rrugë tjetër. Megjithatë, dua ta bëj të qartë se ne duam vetëm lojtarë që identifikohen 100% me vendin dhe ekipin tonë kombëtar”, deklaroi menaxheri i kombëtares zvicerane, Pierluigi Tami.
Marrëdhëniet futbollistike mes Zvicrës dhe Kosovës janë të ngushta, sidomos për shkak të migrimit nga ish-Jugosllavia në vitet ’90, që solli yje të mëdhenj si Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. Që nga pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA më 2016, shumë talente të rritur në Zvicër kanë ndërruar përfaqësimin, duke zgjedhur Kosovën.
Në muajin gusht, FIFA miratoi gjithashtu kalimin e dy talenteve të tjerë, Kevin Krasniqi dhe Leon Frokaj, ndërsa pak ditë më parë një tjetër talent zviceran, mbrojtësi 18-vjeçar i Fiorentinës, Eman Koshpo, vendosi të përfaqësojë Bosnjën e Hercegovinën.
Shembulli më i famshëm i një rasti të tillë mbetet ai i Ivan Rakitiç, i cili nga Zvicra U-21 kaloi të luante për Kroacinë, duke arritur deri në finalen e Botërorit 2018.
Pavarësisht largimeve të tilla, Zvicra ka arritur të kualifikohet në pesë Kupat e Botës të fundit, shpesh me lojtarë me rrënjë në Kosovë e Shqipëri si Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili dhe Mario Gavranoviq.
Grupi i Kosovës dhe Zvicrës në kualifikime është ndër më të fortët në Evropë, ku bëjnë pjesë edhe Sllovenia dhe Suedia. Vetëm fituesi i grupit do të sigurojë kualifikimin direkt në Botërorin e vitit 2026 që do të mbahet në ShBA, Kanada dhe Meksikë. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.