Biblioteka e albanologut të njohur Prof. Dr. Skënder Gashi, i është dhuruar Bibliotekës Kombëtare të Kosovës "Pjetër Bogdani".
Albanologu e kishte lënë amanet që familjarët t'ia dorëzonin librat e bibliotekës së tij aty.
"Biblioteka e prof. dr. Skënder Gashit, i është dhuruar Bibliotekës Kombëtare të Kosovës nga familja e tij, sipas amanetit të të zot’. Nën përkushtimin dhe vullnetin e madh të zonjës znj. Habibe Gashi, të vejës së albanologut të shquar Dr. Skënder Gashi, është mundësuar dorëzimi i kësaj biblioteke", ka shkruar BKK në facebook.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës, përmes një Komisioni të përbashkët me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka pranuar bibliotekën personale të prof. dr. Skënder H. Gashit. Materiali u soll në Prishtinë nga Vjena, vendi ku ka jetuar dhe vepruar prof. Gashi.
"Si njëri prej studiuesve më të zellshëm të albanologjisë, prof. dr. Skënder Gashi ishte veprimtar i çështjes së Kosovës dhe asaj shqiptare, shkencëtar dhe studiues i albanologjisë në Prishtinë, Zagreb e Salsburg dhe pati kulturën e lartë për ndërtimin e një biblioteke të pasur private e familjare. Biblioteka personale e prof. Skënder Gashit, numëron një sërë titujsh, disa prej të cilëve janë botime të rralla dhe me vlerë të veçantë".
Të gjitha veprat e kësaj biblioteke do të arkivohen në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në mënyrë që të ruhen nga profesionistë të bibliotekës, por edhe të vihen në dispozicion për lexuesin.
Në momentin që do të jetë përballë kësaj biblioteke, lexuesi do të krijojë idenë për shijen e profesorit si lexues e studiues, për studion e tij të punës dhe më kryesorja, për bibliotekën e tij.
"Biblioteka Kombëtare e Kosovës shpreh mirënjohjen e thellë për kujdesin dhe vullnetin që familja e prof. dr. Gashit ka shprehur për ta pasuruar Bibliotekën Kombëtare me këtë koleksion".
●●●
ASHKRIMI NGA
A.B
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.