Gjatë konferencës për media në prag të ndeshjes ndaj Juventusit në Ligën e Kampionëve, Xabi Alonso foli për Arda Güler. Talenti turk ka bërë paraqitje mbresëlënëse në fillim të sezonit për Real Madridin.
Me ardhjen e Alonsos në stolin e "Los Blancos", Arda Güler është bërë titullar i rregullt te Real Madridi. Në prag të përballjes së tyre në Ligën e Kampionëve kundër Juventusit, trajneri spanjoll kishte vetëm fjalë lavdërimi për reprezentuesin turk. Ai madje e krahasoi atë me dy ish-yje të Real Madridit, Mesut Özil dhe Guti.
“Është një përzierje mes Özil dhe Guti. Guti kishte atë cilësi për të ndërtuar lojën dhe për të dhënë pasimin final. Edhe Mesut po ashtu. E kam vlerësuar shumë Özilin. Sa më shumë ta përfshijmë Ardan në lojë, aq më të mirë bëhemi. Duhet të vazhdojmë ta shtyjmë përpara. Jemi shumë të lumtur me të,” tha Alonso në konferencën për shtyp.
Real Madridi e ka nisur në mënyrë perfekte fazën e ligës në Champions, me dy fitore, teksa kryeson edhe në La Liga me dy pikë më se Barcelona të cilën e pret të dielën në El Clasico.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.