Në konferencën e parë për shtyp të sezonit të ri, Massimiliano Allegri foli për ambiciet e Milanit dhe për ardhjen e madhe të verës, Luka Modric.
A është Milani favorit për titull?
“Favoritë apo jo... gjithmonë ka një grup skuadrash”, tha trajneri i kuqezinjve.
“Zakonisht favorit mbetet ekipi që fiton kampionatin, pra Napoli. Pastaj janë Roma, Fiorentina, Juventusi, Lazio dhe sigurisht edhe ne. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në punën e përditshme, duke ruajtur ekuilibrin. Nuk është çështje mbrojtjeje me tre apo katër, por e karakteristikave të lojtarëve: nëse në vend të Tomorit do të ishte një mbrojtës më ofensiv, do të kishim më shumë shtytje. Mund të luhet në mënyra të ndryshme”.
Allegri nuk kurseu fjalët e mira për mesfushorin kroat:
“Nuk ka nevojë të flasësh për aspektin teknik të Modric, karriera e tij flet vetë. Ai luan më shumë me pjesën e jashtme të këmbës sesa me të brendshmen, dhe këtë e bëjnë shumë pak lojtarë. Është një djalë me përulësi të madhe. Sigurisht që nuk ka më fizikun e dhjetë viteve më parë, por me menaxhim të mirë do ta ndihmojmë të japë maksimumin. Aktualisht është shumë mirë në aspektin fizik”.
Me këto deklarata, Allegri hap zyrtarisht sezonin e ri të Milanit, mes ambicies për të qenë në garë për titull dhe emocionit që sjell afrimi i një kampioni si Modric.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Alberta Hyseni
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.