Një moment i sikletshëm në koncertin e Coldplay që u kthye në një nga videot më virale të javës, duket se ka frymëzuar edhe festivalin më të madh muzikor në Kosovë, Sunny Hill.
Organizatorët kanë njoftuar se në edicionin e sivjetmë të festivalit do të jetë pjesë edhe elementi i njohur ndërkombëtar - “Kiss Cam”.
E gjitha nisi me një incident që ndodhi në koncertin e Coldplay në Boston, ShBA, ku kamera e drejtuar te publiku fokusoi Andy Byron, CEO i kompanisë teknologjike “Astronomer”, teksa ndodhej në një moment të afërt me Kristin Cabot, shefen e burimeve njerëzore të së njëjtës kompani, raporton Klan Kosova.
Videoja u shfaq në ekranin gjigant të koncertit dhe u transmetua live për mijëra të pranishëm - e më pas shpërtheu në rrjetet sociale.
Çështja mori përmasa edhe më të mëdha kur u zbulua se Byron është i martuar dhe baba i disa fëmijëve, të cilët ndodheshin në shtëpi në atë kohë. Komenti me humor i vokalistit të Coldplay, Chris Martin, e bëri momentin edhe më të ndjeshëm: “Shikoni këta të dy… Oh, ose kanë një aferë, ose janë thjesht shumë të turpshëm”, tha ai nga skena.
Në kulmin e këtij debati, Sunny Hill Festival publikoi një postim në Instagram, duke paralajmëruar se "Kiss Cam" do të jetë pjesë e festivalit që mbahet nga 1 deri më 3 gusht 2025 në Prishtinë.
Me mbishkrimin provokues: “KUJDES!!! Kiss Cam po vjen në Sunny Hill këtë vit”, dhe përshkrimin e lezetshëm në foto: “Kujtesë miqësore: zgjidhni +1 tuaj me mençuri”, organizatorët duket se po e marrin me humor trendin e krijuar dhe po e kthejnë në një element festiv.
“Kiss Cam” është i njohur për krijimin e momenteve të papritura e shpesh gazmore në ngjarje sportive dhe koncerte në gjithë botën, por pas këtij incidenti, është bërë edhe më i komentuar. /Klankosova.tv
https://www.youtube.com/watch?v=JC0yHqTO_QM
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.