Kombëtarja e Kosovës do të ndeshet me atë zvicerane më 5 shtator në Bazel, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Për këtë ballafaqim ka folur mbrojtësi Manuel Akanji, i cili para pak ditësh u zyrtarizua te Interi pas disa sezoneve të kaluara te Manchester City.
Në kampin stërvitor me ekipin e Murat Yakin, mbrojtësi i kombëtares zvicerane u pyet në lidhje me takimin me Kosovën, i planifikuar për të premten në mbrëmje.
Ai tha se në dy ndeshjet e fundit kundër Kosovës, Zvicra u nda baras, dhe shtoi se “Dardanët” nuk janë kundërshtar i lehtë.
“Në dy ndeshjet e fundit të luajtura kundër tyre pësuam golin e barazimit në minutat e fundit. Sigurisht që nuk është një kundërshtar i lehtë: do të duhet të jemi të fortë dhe gati që nga minuta e parë. Gjithçka është në lojë vetëm në dy muaj, kështu që aspekti i rëndësishëm është të fillojmë fort menjëherë. Gjëja pozitive është se rrugëtimi ynë fillon me dy ndeshje në shtëpi: qëllimi është i qartë, ne duam gjashtë pikët”, tha Akanji, transmeton Klankosova.tv.
Më herët foli edhe mesfushori zviceran Fabian Rieder, i cili paralajmëroi ndeshje të vështirë ndaj Kosovës.
“I gjithë ekipi janë në një pozicion të mirë. Kanë shumë cilësi. Padyshim se nuk janë vend i vogël. Një kundërshtar shumë, shumë i mirë ku na duhet të luajmë në limitet tona”, u shpreh ai, raporton Klankosova.tv.
Rieder është transferuar tek Augsburgu nga Rennesi francez, ku tashmë do të luajë përkrah Elvis Rexhbeçajt të Kosovës.
Ndeshja Zvicër-Kosovë luhet të premten nga ora 20:45 në Bazel. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.