Akademia Europiane e filmit u ka bërë ftesë edhe pesë filmbërësve kosovarë të bëhen pjesë e kësaj akademie.
''Regjisoret Antoneta Kastrati, Blerta Basholli, Norika Sefa, More Raça, dhe aktori e producenti Eshref Durmishi janë ftuar të bëhen pjesë e Akademisë Europiane të Filmit'', shkruan Qendra Kinematografike e Kosovës, në facebook, transmeton klankosova.tv.
Ftesa e kësaj Akademie vjen pas sukseseve të këtyre artistëve të treguara në arenën ndërkombëtare.
''Antoneta Kastrati me filmin e parë të saj artistik ‘Zana’ shfaqi premierë në Toronto dhe ishte propozimi i Kosovës për garën Oscars 2020, Blerta Basholli me filmin debutant të gjatë të saj ‘Zgjoi’ fitoi 3 çmimet kryesore në Sundance Film Festival, Norika Sefa u shpërblye me çmimin special të jurisë nga Rotterdam Film Festival, filmi debutues i More Raçës shfaqi premirën në Festivalin e Sarajevës dhe Kajros, ndërsa Eshref Durmishi ishte aktor dhe producent në filmin e parë nga Kosova të nominuar për Oscars'' shton Qendra Kinematografike e Kosovës.
Antoneta Kastratin, Blerta Basholli, Norika Sefa, More Raça dhe Eshref Durmishi u bashkohen 23 anëtarëve aktivë kosovarë të cilët janë pjesë e kësaj Akademie.
●●●
KKSHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.