Lajmet e fundit

Në festivalin "San Antonio Independent Film Festival" në San Antonio de Ibarra të Ecuadorit, filmi kosovar AGNUS DEI me skenar dhe regji të Agim Sopit, ka fituar çmimin e Filmit më të mirë /Best Feature Film.
Më shumë se 700 tituj filmash nga 77 vende të botës kanë garuar në nëntë kategori të ndryshme në eventin e shtetit jug-amerikan, duke ‘krijuar një pasqyrë të mprehtë të rrjedhave botërore kinematografike’ thuhet në një kumtesë të festivalit.
Filmi kosovar është cilësuar si një ‘realitet onirik i botës së errët në të cilën po zhytet civilizimi ynë i padiktueshëm, një jehonë e ndërgjegjies së thellë të tragjedisë së individit që merr dimensione nga të dyja anët e frontit për të krijuar një vepër të fuqishme unikale, një dorëshkrim autorial tepër të rrall dhe shumë poetik’.
Filmi AGNUS DEI zë fill në tragjedinë e antikitetit mbi fatin e Edipit, fëmiut të braktisur nga babai i cili duke ikur nga tragjedia e parashikuar, kthehet pikërisht në shtëpinë e babait biologjik për ta vrarë atë.
Edipi, i penduar i nxjerr vetes sytë, për të mos e parë më dirtën e diellit, duke rezymuar jetën e vet tragjike në formë amaneti: ‘O dritë e diellit, qoftë hera e fundit që po të shoh, sepse unë linda nga ata që s’duhej, rrojta bashkë me ata që s’duhej dhe vrava ate që s’duhej’.
Në realitetin e sotëm, tragjedia e djaloshit që kthehet për të vrarë babanë e vet biologjik është reale, e shkruar dhe mbështetur në ngjarjen e vërtetë që zë fill në luftën e Kosovës.
Petri, një djalosh rreth të tridhjetave, bën një jetë të dëshpruarish me të ëmën Maria dhe burrin e saj, Stojanin në një fshat në Serbi.
Petri ka lindur në Kosovë nga një ‘dashuri e ndaluar’ mes nënës së ti,j Maria dhe babait shqiptar, Dinit.
Petri, cytet nga e ëma dhe rrethi në Serbi, që të shkojë në luftën e Kosovës.
Ai do të ikën nga lufta për në perëndim por mobilizohet dhunshëm dhe rekrutohet në një njësit ushtarak në luftën e Kosovës.
Në një aksion të përgaditur në shenjë hakmarrjeje, Petri vret babanë e vet Dinin, të cilin nuk kishte arritur ta njohë kurrë.
Ky është çmimi i 101-të ndërkombëtar, duke mos llogaritur edhe shtatë çmime special dhe 72 nominime, për filmin AGNUS DEI, i cili ka përfaqësuar Kosovën në mbi 200 festivale ndërkombëtare në të katër anët e botës.