Lajmet e fundit

Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agim Sopi është i ftuar në Zona B të Klan Kosovës.
Ai është shprehur se gjendja me institucionet e Kosovës ka të bëjë edhe me vizionin dhe qëllimet politike.
“Mungesa e përmbajtjes në institucione të kulturës dhe jo vetëm të kulturës, është mungesë e vizionit politik të elitave tona, që qëllim parësor e kanë vetveten”.
Sopi ka krahasuar Kosovën edhe me vendet tjera.
“Ka pasur periudha krize tranzicione në ish Republika të ish Jugosllavisë, Bosnja e ka pas një tranzicion më të gjatë por në aspektin kulturor ka funksionuar edhe gjatë luftës”.
“Shembulli më i mirë janë sllovenët të cilët janë imponuar në Evropë me identitetin e tyre kulturor”.
Ai është shprehur se edhe para luftës ka pasur hapa serioz në kinematografi, njofton Klan Kosova.
“Mund të them nga filmi “Era dhe Lisi” e deri te filmi “Rojet e mjegullës” ka pasur filma që kanë dëshmuar se ne po bëjmë hapa serioz drejt kinematografisë, ai shirit fatkeqësisht është zhdukur prej fillimit të luftës”.
Sipas Sopit janë bërë disa projekte të suksesshme.
“Mund të them që disa projekte pas luftës mund të cilësohen si të suksesshme, por fatkeqësia është që ne nuk kemi kontinuitet”.
I pari i Teatrit Kombëtar të Kosovës është shprehur se nuk është që nuk ka kuadër të mirë në këtë fushë në Kosovë.
“Kosova mund të prodhojë me buxhetin që ka nja 4-5 filma dhe 4-5 filma të shkurtër”.
“Ne do të mund të krijonim filma që mund të shfaqeshin nëpër botë”.
Sipas tij, Kosovës ndoshta është i vetmi vend në botë që prodhon analfabet ose gjysmë-analbafet me diplomë.
Sipas Sopit, të gjithë duhet të mbajnë “peshën e fajit” për gjendjen aktuale politike.
“Pas luftës jemi mësuar ti evidentojmë problemet të gjithë, e të themi që janë të gjithë zi, por asnjëherë nuk kemi thënë se çfarë kemi bërë ne, e çfarë kam bërë unë për shtetin”.
“Është koha që gjithë prej nesh të marrim përgjegjësinë”.
“Nëse i rikthehemi kësaj logjike të menduarit e të vepruarit pozitivisht, mendoj që gjërat mund të ndryshojnë për të mire, gjërat bëhen hap pas hapi”.