Lajmet e fundit

“Teksa Kosova vazhdon të zhvillohet dhe të thellojë integrimin e saj në komunitetin ndërkombëtar, mundësitë për bashkëpunim, veçmas në mbrojtje, tregti, investime ekonomike dhe energji, janë të pakufishme. Bizneset amerikane po kërkojnë partnerë të besueshëm, fuqi punëtore dhe tregje konkurruese. Kosova ka mundësi që të jetë të tri këto gjëra”, tha ajo.Këto deklarata të Prattipatit vijnë pasi ajo javëve të fundit i ka bërë thirrje Qeverisë në detyrë të Kosovës që t’i bashkohet nismave rajonale të gazit të lëngshëm natyror (LNG) amerikan, duke argumentuar se kjo do t’i ndihmonte vendit të sigurojë të ardhmen e vet energjetike. Qeveria në detyrë, që udhëhiqet nga Albin Kurti, ka ngulur këmbë se Kosova nuk është kundër LNG-së amerikane, por ka thënë se e sheh gazifikimin e thëngjillit si mundësi më të mirë sesa furnizimin me LNG-në. Në ngjarjen e organizuar për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së, Prattipati ndërkaq tha se Kosova “gjithmonë ka qenë pranë nesh, duke mbështetur prioritetet tona”, teksa përmendi përfshirjen e vendit në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese dhe në Bordin e Paqes, nismën e presidentit amerikan, Donald Trump, për zgjidhjen e konflikteve në botë.
“Po ashtu edhe SHBA-ja qëndron pranë Kosovës. Ne qëndrojmë me Kosovën në përpjekjet e saj për të ndërtuar institucione të forta, qëndrojmë me Kosovën në ndërtimin e një ekonomie prosperuese që tërheq investitorë dhe ofron mundësi për të gjithë qytetarët”, tha Prattipati. /REL