Lajmet e fundit

Ambasadori i Azerbajxhanit rekomandon “Aliu dhe Nino”, shkruar në vitin 1937 nga Kurban Saidi, që tregon për historinë e dashurisë mes një djali mysliman nga Azerbajxhani dhe një vajze të krishterë nga Gjeorgjia, në kryeqytetin Baku, nga vitet 1918-1920.
“Luftë e terpentinë” është libri i sugjeruar nga ambasadori belg dhe tregon historinë e tri brezave belgë, në trashëgiminë e Luftës së Parë Botërore, me piktorët e jashtëzakonshëm të Belgjikës. Sipas ambasadorit, ky libër është shoqëruesi i duhur për ata që duan të shijojnë artin e historinë, ndërsa udhëtojnë nëpër Belgjikë.
“Thesaret e Dragoit Gjëmues: një portret i Butanit” është libri që veçon ambasadori i këtij vendi. Shkruar nga Madhëria e Saj, Nëna Mbretëreshë Ashi Dori Uangmo Uangçuk, ky libër është një ditar personal, ndërthurur me folklor, që portretizon mbretërinë himalajane.
Ambasadori kanadez sugjeron “Me besim e dashamirësi: 150 vjet miqësi kanadezo-amerikane”, mbledhur nga Artur Millnes. Sipas ambasadorit është një përmbledhje e bukur fjalimesh, fotosh dhe esesh të kryeministrave e presidentëve, që rrëfejnë historinë e përbashkët mes dy vendeve.
“Shtëpia e shpirtrave”, një libër aq i dashur edhe për shqiptarët sugjerohet nga ambasadori kilian dhe rrëfen historinë e një pronari tokash e të bijës së tij, që përfshihet në trazirat shoqërore e politike të Kilit të viteve ’70.
Libri i sugjeruar nga ambasadori kolumbian është: “100 vjet vetmi”, që Gabriel Garsia Markezi e shkroi në vitin 1967 dhe përmes tij rrëfen historinë e disa brezave të familjes Buendia.
Ambasadori i Danimarkës sugjeron “Shqisa e Smilës për dëborën”, një roman artistik me mistere, që ndodhin në Kopenhagë dhe prek tema si kultura daneze përkundër asaj grenlandeze, mes të cilave problemet e gjuhës e identitetit mes tyre.
Ambasadori estonez zgjedh “Ai që fliste gjarpërisht”, që është një hulumtim alternativ i historisë, nga një autor bashkëkohor mjaft popullor në Estoni.
Seria e librave me Muminë është sugjerimi i ambasadorit finlandez. Kjo seri u shkrua fillimisht si përralla për fëmijë, por natyra filozofike e këtyre librave është universale dhe i shijojnë kujtdo moshe dhe kategorie. Muminët miqësorë e të shpenguar lexohen me shumë kënaqësi dhe janë padyshim pjesë e fëmijërisë së çdo finlandezi.
“Çiku” është një libër për dy djem 14-vjeçarë, që ndihen të përjashtuar, ku njëri vjen nga një familje borgjeze, tjetri është një rus i riatdhesuar. Ata “marrin hua” një makinë, për të bërë një udhëtim të pazakontë, ku lidhin një miqësi të çuditshme. Ky është libri i sugjeruar nga ambasadori gjerman.
Ambasadori grek rekomandon për lexuesit “Liri e vdekje” të Niko Kazanzaqit. Botuar në vitin 1953, romani rrëfen për kryengritjen e banorëve të Kretës kundër Perandorisë Osmane, në vitin 1889.
Nga Islanda, ambasadori i këtij vendi zgjedh “Të pavarurit”, që rrëfen historinë e bariut Gubjartur Jonson dhe betejën e tij për të ruajtur pavarësinë.
Ambasadori indian zgjodhi “Liri në mesnatë” të vitit 1975, që përshkruan ngjarjet rreth pavarësisë së Indisë dhe ndarjes më 1947-1948, duke filluar me emërimin e Lordit Mauntbatën të Burmës dhe duke u mbyllur me vdekjen e Mahatma Gandit.
Nga Irlanda vjen sugjerimi për “TransAtlantik”, që tregon një ndërthurje historish mes pasagjerëve të parë të linjës transatlantike pa ndalesë, në vitin 1919; vizitën e Frederik Dagllas në Irlandë në vitet 1845-1846 dhe historinë e procesit irlandez të paqes në vitin 1998.
Ambasadori xhamajkan zgjedh një autore poezish: “Poemat e përzgjedhura” të Luis Bene, që shkruan me humor në dialektin xhamajkan dhe të bën të shikosh gjer thellë në kulturën e këtij dhe se ç’do të thotë të jesh banor i Xhamajkës.
Rekomandimi i ambasadorit maltez është “Në emër të atit (dhe të birit)” të Imanuel Mifsudit, që tregon historinë e një djali, që lexon ditarin që mbante i ati gjatë shërbimit ushtarak në Luftën e Dytë Botërore dhe kjo e bën të rivlerësojë marrëdhënien e tij me të atin.
“Kalëruesja e balenave” është libri i Uiti Ihimaerës, që këshillon ambasadori i Zelandës së Re. Shkruar në vitin 1987, ai tregon historinë e Kahusë, që zhvillon aftësinë e të komunikuarit me balenat.
Seria e Herri Houlit është rekomandimi i ambasadorit norvegjez. Kjo seri flet për anti-heroin Herri, një hetues policor i përkushtuar, por me këmbë të ngulura mirë në tokë.
Ambasadori slloven zgjedh librin, që Drago Jançar shkroi në vitin 2010: “E pashë atë natë”, i cili hulumton zhdukjen e një borgjezeje të re në Lubjanë, gjatë një periudhe të trazuar historike.
“Sipas nordikëve” është një antologji esesh, mbledhur nga Debra Kagan dhe përfaqëson më së miri të 5 vendet nordike. Ky libër është përzgjedhur nga ambasadori norvegjez, sepse përshkruan jetën në veri nga pesë këndvështrime të ndryshme.
Dhe për ta mbyllur, ambasadori i Britanisë së Madhe, sugjeron “Shlyerja” e Ian MekIvën, ngjarjet e të cilit shtrihen në tri periudha: Anglia e vitit 1935; Lufta e Dytë Botërore dhe ndërrimi i shekujve. Ngjarjet ngrihen mbi gënjeshtrën gjysmë të pafajshme të një 13-vjeçareje, që shkatërron jetë e familje. Flet për dashurinë, luftën, thonjtë e së shkuarës mbi të tashmen, ndërsa kalon nga historia e Anglisë dhe pasojat e saj mbi njerëzit.
klankosova.tv