Jemi në mbyllje të një viti të keq.
Një viti që na ka terrorizu, na ka varfëru dhe na ka poshtëru, prej më të voglit deri te më i madhi.
Ka qenë një vit ku na është shitë dushkë për gogla, siç thotë populli. Një vit ku është lu me dinjitetin dhe inteligjencën e qytetarëve, ku padija është shitë për mençuri, e zhurma për dije. Një vit ku të padijshmit na kanë shitë mend, pa turp e pa përgjegjësi.
Kemi pa njerëz që janë ngritë aksidentalisht në piedestal, jo për vlera, por për zhurmë. Dhe më e keqja: janë krenu për mungesën e vlerave. Injoranca është normalizu, madje është shpërbly.
Ka qenë një vit ku vota e qytetarëve, në vend se me u përdorë për zhvillim, është përdorë për me e blloku vendin. Një vit ku hajnia është paketuar si moral, ndërsa morali i vërtetë është tallë e është sulmu. Ku e drejta është relativizu dhe e padrejta është arsyetu.
Kemi pa edhe një degradim serioz të profesionit të gazetarisë. Gazetarë, ose më saktë, të ashtuquajtur gazetarë, që kanë zgjedhë me qenë zëdhënës të pushtetit, e jo kritikë të tij. Ani se misioni i gazetarisë është me qenë opozitë e pushtetit: me pyetë, me sfidu, me kërku llogari, jo me i rrahë shpinën atij që e ka pushtetin në dorë.
E gjithë kjo klimë ka prodhu një shoqëri të nervozuar, të lodhur dhe të frustruar. Një shoqëri ku mllefi shpërthen për gjëra të vogla, ku durimi ka humbë dhe ku njerëzit janë në prag të konfliktit për arsye banale, sepse problemet e mëdha nuk po gjejnë zgjidhje.
Ky nuk ka qenë vetëm një vit i keq politikisht.
Ka qenë një vit i rëndë moralisht.
Një vit që na ka tregu sa lehtë mund të manipulohemi, sa shpejt mund të lodhemi dhe sa thellë mund të bie një shoqëri kur normalizohet padrejtësia.
Prandaj, të dielën votoni me mendje. Votoni që të kemi një qeveri funksionale, ku pushtetet nuk përzihen dhe ku nuk kthehemi prapa, në një lloj socializmi të rremë, ku kooperativat na japin bukë për me mbijetu, e jo kushte për me jetu me dinjitet.
Votoni që fëmijët tuaj të kenë zgjedhje për të ardhmen brenda këtij vendi, e jo me i mbajtë sytë kah një shtet tjetër. Votoni që të mos mbesim në terr, që të mos jetojmë me frikë nga faturat, dhe që të mos vdesim duke pritë barna e mjekë.
Votoni, sepse kjo nuk është veç politikë. Kjo është çështje jete, dinjiteti dhe e ardhmes sonë.
Votoni që të mos ia shtrojmë vetës pyetje: a po e mbyllim këtë vit vetëm me mllef, apo edhe me vetëdije?
Sepse nëse nuk nxjerrim mësim prej tij, viti i ardhshëm rrezikon me qenë edhe më i keq.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Alberta Hyseni
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.