Një nga ndeshjet më të bukura të dekadës së fundit në UEFA Champions League u zhvillua në “Santiago Bernabeu”, aty ku Bayern Munich arriti një fitore të madhe 1-2 ndaj Real Madrid, duke triumfuar në këtë stadium pas plot 25 vitesh.
Skuadra bavareze kaloi në epërsi falë golit të Luis Diaz në minutën e 41-të të ndeshjes, ndërsa më pas Harry Kane dyfishoi rezultatin në minutën e 46-të duke i dhënë një avantazh të rëndësishëm ekipit gjerman, transmeton Klankosova.tv.
Në anën tjetër, madrilenët reaguan me golin e Kylian Mbappé në minutën e 74-të, i cili mbajti gjallë shpresat e vendasve deri në fund.
Ndeshja ishte e mbushur me raste nga të dyja skuadrat, me ritëm të lartë dhe emocione të vazhdueshme, duke e bërë një përballje të paharrueshme për tifozët e futbollit.
Pavarësisht spektaklit në fushë, mbetet një “mëkat” që nuk pati më shumë gola, pasi të dy ekipet krijuan mundësi të shumta për shënim.
Një fitore e madhe për Bayernin në një nga transfertat më të vështira në Evropë, që mund të rezultojë vendimtare për fatin e kësaj përballjeje, dhe kalimin në gjysmëfinale.
●●●
KGSHKRIMI NGA
Kasim Gerbeshi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.