Mesfushori kroat, Luka Modric do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale pas një dëmtimi serioz që pësoi gjatë ndeshjes mbrëmë ndaj Juventusit.
Sipas raportimeve nga Sky Sport Italia, ish-fituesi i Topit të Artë ka pësuar frakturë në mollëzën e majtë pas një përplasjeje kokë më kokë me Manuel Locatelli, transmeton Klankosova.tv.
Incidenti ndodhi në pjesën e dytë të ndeshjes, në një duel ajror për topin, ndërsa pavarësisht dëmtimit, Modric arriti të spikasë në fushë duke u vlerësuar si një nga lojtarët më të mirë të Milanit në këtë përballje.
Sipas Football Italia, lojtari iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore të hënën dhe tashmë është vendosur që ai të operohet në orët në vijim për të trajtuar frakturën.
Ende mbetet e paqartë nëse veterani kroat do të jetë në gjendje të rikthehet për katër ndeshjet e fundit të sezonit në Serie A, ku Milani do të përballet me Sassuolo, Atalanta, Genoa dhe Cagliari.
Pavarësisht moshës 40-vjeçare, ai ka zhvilluar një sezon mbresëlënës, duke qenë një nga figurat kyçe të skuadrës.
Mesfushori ka qenë i pranishëm në të gjitha 34 ndeshjet e kampionatit këtë sezon, duke startuar në 32 prej tyre dhe duke dëshmuar vazhdimisht rëndësinë e tij në formacion.
●●●
KGSHKRIMI NGA
Kasim Gerbeshi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.