Trileri hakmarrës i Jafar Panahit, “It Was Just an Accident”, një aktakuzë për korrupsionin dhe tiraninë në vendin e lindjes së regjisorit disident iranian, fitoi Palmën e Artë në Festivalin e 78-të të Filmit në Kanë të shtunën.
Pasi mori çmimin, Panahi, i cili më parë ka qenë i burgosur dhe i ishte ndaluar prodhimi i filmave në vendlindjen e tij, foli haptas kundër restriksioneve të regjimit pasi fitoi çmimin kryesor në Festivalin e Filmit në Kanë, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Ai kërkoi nga bashkëvendësit e tij “të lënë anash” dallimet dhe problemet mes vete.
“Ajo që është më e rëndësishmja tani është vendi ynë dhe liria e vendit tonë”, tha ai. “Na lejoni t’i bashkojmë forcat. Askush nuk duhet të guxojë të na tregojë se çfarë rrobash duhet të veshim, apo çka duhet apo nuk duhet të bëjmë”.
Qëndrimi i fundit i Panahit në burg, nga ku u lirua më 2023, erdhi pas protestoi kundër ndalimit të dy film-bërësve tjerë të cilët kritikonin autoritetet.
Udhëtimi i tij në Kanë ishte paraqitja e tij e parë në një festival ndërkombëtar në 15 vjet, pasi iu nënshtrua një ndalimi të gjatë udhëtimi.
“It Was Just an Accident” u xhirua në fshehtësi dhe u bazua pjesërisht në përvojën e vetë Panahit në burg.
Çmimi i Madh i vendit të dytë, shkoi për filmin “Sentimental Value” të regjisorit norvegjez Joachim Trier, një rrëfim prekës për një familje të përçarë në heshtje me protagonistë Renate Reinsve dhe Elle Fanning.
Çmimi për Aktorin më të Mirë, i shkoi brazilianit Wagner Moura, për filmin “O Agente secreto” të Kleber Mendoca Filho. Për këtë film juria shpalli edhe regjisorin më të mirë si fitues.
Ndërsa si Aktorja më e Mirë, u shpall Nadia Melliti për filmin “Le petit dernier” nga Hasfia Herzi.
Para nisjes së festivalit, Kana pati një ndërprerje të energjisë, që zgjati për më shumë se pesë orë. Shkak u bë vënia e zjarrit në një kabinë elektrike, teksa kanë nisur hetimet për këtë incident të rëndë. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.