Kylian Mbappe po zhvillon një sezon fantastik në vitin e tij të dytë si pjesë e Real Madridit.
Që prej momentit kur Xabi Alonso mori drejtimin e skuadrës, ylli francez ka arritur të shënojë 16 gola dhe të dhurojë dy asiste në vetëm 13 ndeshje, duke u konfirmuar si një prej lojtarëve më vendimtarë të ekipit “Los Blancos”.
Sulmuesi ka forcuar rolin e tij si lider teknik dhe figurë karizmatike në ekipin madrilen.
Në një prononcim për gazetën Marca, Mbappe foli për eksperiencën e tij me trajnerin e ri, duke e krahasuar disi me periudhën nën drejtimin e Carlo Ancelottit sezonin e kaluar.
“Kam punuar me shumë trajnerë, secili me filozofinë e vet. Xabi është ndryshe nga Ancelotti. Ka një metodë të veçantë pune dhe po mësojmë çdo ditë se çfarë kërkon nga ne,” deklaroi Mbappe.
Francezi shtoi gjithashtu se skuadra është në rritje të vazhdueshme: “Që nga fillimi i sezonit dhe pas Kupës së Botës për klube, kemi përparuar shumë. Ende kemi hapësirë për t’u përmirësuar. Nuk kemi fituar ende asgjë, por po ecim në drejtimin e duhur.”
Këto deklarata tregojnë qartë bashkëpunimin e mirë midis Mbappe dhe trajnerit Alonso.
Nën drejtimin e spanjollit, Real Madridi po vazhdon të shkëlqejë si në La Liga ashtu edhe në arenën evropiane, i udhëhequr nga talenti, energjia dhe ambicia e numrit 7./Klankosova.tv
●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.