Lajmet e fundit

Klankosova.tv pyeti lexuesit se cili ishte lojtari më i mirë i Kosovës, dhe rreth 1 mijë komente dhanë mendimet e tyre.
Mbi 80 për qind e komenteve ishin për yllin e Dardanëve, i cili shkëlqeu në natën e madhe të finales mbrëmë, Dion Gallapeni.
“Gallapeni mbret i skuadrës me zemër”, “Padiskutim Gallapeni”, “Gallapeni, lojtar që lë shpirtin në fushë”, “Gallapeni e bëri krenar Suharekën dhe krejt Kosovën”, “Gallapeni, nuk ka dyshim aty”, ishin veç disa prej shumë komenteve për futbollistin.
21-vjeçari nga Suhareka kishte 76 për qind të pasimeve të sakta (29 prej 38), 67 prekje të topit, ndërsa kishte një rol kyç tek skuadra e Kosovës dhe duke arritur t’i ndalojë disa aksione të rrezikshme të lojtarëve turq.
Ish-lojtari i Prishtinës, tani është duke zhvilluar karrierën e tij në ligën polake te skuadra gjigante "Wisla Plock".
Përveç Gallapenit, lexuesit e Klankosova.tv kanë zgjedhur edhe Lumbardh Dellovën, i cili ishte i jashtëzakonshëm në pjesën e mbrojtjes duke mos lënë hapësira për rastet e lojtarëve të Kombëtares së Turqisë, kurse disa të tjerë kanë komentuar se lojtar kyç tek Kosova, ishte Fisnik Asllani.
Ndërsa një pjesë tjetër e komentuesve, ishin të bindur se të gjithë lojtarët kanë luajtur mirë duke mos arritur ta ndajnë vlerësimin e tyre.