“Mbështetja për zyrtarët e zbatimit të ligjit, mbështetja dhe trajnimet për prokurorët dhe gjyqtarët, se si ta trajtojnë dhunën me bazë gjinore, mund ta ndihmojnë Kosovën në luftimin e kësaj dukurie”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Katrina Fotovat, zëvendësdrejtoreshë e Zyrës së Sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Globale të Grave.
Fotovat po merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të organizuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në ditën e dytë të këtij forumi, në Kosovë është vrarë edhe një grua - e dyta brenda pesë ditësh. Për të dyja rastet, të dyshuar kryesorë janë burrat e tyre.
Fotovat thotë se në vendet e paskonfliktit, kudo nëpër botë, ka cikle traumash që ndodhin në çdo brez.
“Ne duhet ta pranojmë këtë dhe ta trajtojmë si diçka që e dimë se do të ndodhë”, thotë ajo.
Zyrtarja e lartë amerikane, gjithashtu, thekson rëndësinë e dialogut me familjet dhe të përfshirjes së burrave në diskutim.
“Kemi zbuluar se koha më e mirë për t’i angazhuar burrat në [bisedat për] dhunën seksuale ose dhunën me bazë gjinore, është pasi ata të bëhen baballarë”, thotë Fotovat.
Radio Evropa e Lirë: Zonja Fotovat, ju vini nga Zyra e Sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Globale të Grave dhe gjendeni këtu në Kosovë për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të organizuar nga presidentja e Kosovës, zonja Vjosa Osmani. Marrë parasysh se ekipi juaj, ndër të tjera, merret me luftimin e dhunës me bazë gjinore, më duhet ta nis këtë intervistë sot me të rejat e fundit në Kosovë.
Mëngjesin e sotëm, një tjetër grua dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj. Ky është rasti i dytë në katër ditët e fundit. A mund dhe si mund ta luftojë Kosova më mirë dhunën me bazë gjinore?
Katrina Fotovat: Para së gjithash, faleminderit për intervistën dhe është nder dhe krenari për mua që jam këtu! E përgëzoj edhe presidenten për një forum të shkëlqyer.
Jam shumë e pikëlluar nga ky lajm që dëgjuam sot, dhe sigurisht që ngushëllimet tona shkojnë për familjen dhe miqtë e saj [viktimës].
Unë mendoj se kjo, gjithashtu, nxjerr vërtet në pah arsyen përse duhet t’i kemi këto diskutime për dhunën me bazë gjinore.
Një nga mënyrat se si angazhohemi në të gjithë botën për çështjet e dhunës me bazë gjinore, është që të sigurohemi që zërat e të mbijetuarve dhe atyre që preken, të dëgjohen kur bëjmë legjislacione, kur flasim për traumat, për qasjet... Sigurojmë që ai komponent të merret vërtet në konsideratë.
Një nga gjërat më të mira në këtë forum në veçanti, ishte se dëgjuam zërat e të mbijetuarve. I pamë të mbijetuarit nga konflikti që, në fakt, dolën dhe thanë: kjo është ajo që më ndodhi mua. Dhe, teksa e adresojmë këtë, ne mund të kemi një bisedë më të gjerë me komunitetet.
Duhet të flasim me familjet dhe, në të vërtetë, duhet t’i angazhojmë burrat.
Kemi zbuluar se koha më e mirë për t’i angazhuar burrat në [bisedat për] dhunën seksuale ose dhunën me bazë gjinore, është pasi ata të bëhen baballarë. Ata janë shumë të hapur... të gjithë duan që familja e tyre të jetë e suksesshme...
Familja juaj është e suksesshme, nëse arrini të keni një familje që rritet në paqe dhe prosperitet. Në një familje të suksesshme, fëmijët do të jenë më mirë të edukuar, do të rriten me plot dashuri dhe do të mund të kenë një të ardhme më të mirë.
Gati secili baba me të cilin flasim, thotë: po, unë e dua këtë. Dhe kjo, vërtet, e çon përpara atë trajektoren e një familjeje paqësore, shpresëdhënëse, të dashur.
“Presim që Kosova t’ia mësojë pjesës tjetër të botës se si të punojë me të mbijetuarit”
Radio Evropa e Lirë: Cilët janë hapat e menjëhershëm që mund t’i bëjë Kosova për t’i ndaluar këto vrasje që po ndodhin?
Katrina Fotovat: Mendoj se një nga gjërat e rëndësishme për t’u bërë, është dialogu, të flitet më shumë me të mbijetuarit. Ka aq shumë organizata të mira të udhëhequra nga gratë këtu në Kosovë. Ne, në fakt, presim nga Kosova t’i mësojë pjesës tjetër të botës se si të punojë me të mbijetuarit. Aplikimi i këtyre përpjekjeve këtu në Kosovë, mendoj se është gjëja më e mirë për t’u bërë.
Mendoj se një nga gjërat që kemi parë e që ka qenë veçanërisht e dobishme, ka qenë sjellja e atyre zërave në skenën politike, përballë parlamentarëve.
Kam parë se si presidentja ka qenë shumë emocionale për këtë rast [që ka ndodhur sot] dhe të tjerët, dhe kërkon zgjidhje që janë reale në vendet e paskonfliktit, kudo në botë. Ka cikle traumash që ndodhin në çdo brez. Pra, ta pranojmë këtë dhe ta trajtojmë si diçka që e dimë se do të ndodhë.
Ka trauma që ndodhin nga konfliktet dhe ne duhet të sigurohemi se i trajtojmë ato.
Intervistën e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë.