Lajmet e fundit

Adama Traore është sërish një lojtar i Barcelonës. Klubi katalanas ka njoftuar nënshkrimin e tij në huazim nga Wolves këtë të shtunë në mbrëmje, me një opsion blerjeje jo me detyrim prej rreth 30 milionë euro të përfshirë në marrëveshje.
Lojtari kaloi testet mjekësore të premten, megjithëse njoftimi zyrtar u vonua deri në mbrëmjen e së shtunës për shkak të disa detajeve të vogla që duheshin bërë.
Prezantimi do të bëhet të mërkurën e ardhshme, por do të mbahet me dyer të mbyllura për shkak të pandemisë së koronavirusit.
“Adama konsiderohet si një nga dribluesit më të mirë në futbollin evropian”, tha Barcelona për ardhjen e tyre të re.
"Në sezonet e fundit, ai ka udhëhequr renditjen për sa i përket driblimeve, duke treguar aftësinë e tij për të mposhtur mbrojtësit dhe për të arritur në vijën e parë".
Vetë lojtari është shprehur i kënaqur për këtë rikthim në shtëpi, duke dhënë një intervistë për mediat zyrtare të klubit, shkruan Marca, transmeton Klankosova.tv.
“Jam shumë i lumtur që kthehem këtu pas kaq shumë vitesh, për mua është një moment i veçantë”, tha Traore për rikthimin e tij.
“Unë jam rritur këtu dhe jam kthyer këtu me familjen dhe miqtë e mi”.
“Do të doja ta ktheja këtë lumturi në fushë”.