Lajmet e fundit

Shkrimtari irlandez gjeti strehim në Zvicër gjatë të dyja luftërave botërore dhe në të njëjtën kohë vendi i dha edhe frymëzim letrar e erotik.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, Zyrihu ishte mbushur me refugjatë; një përzierje pacifistësh, revolucionarësh, anarkistësh dhe artistësh. Edhe Vladimir Lenini shkoi në Zvicër në vitin 1916 dhe zuri një dhomë diku pranë kabaresë "Voltaire". Lenini ishte frekuentues i rregullt i kafenesë "Odéon", ku me shumë mundësi është ndeshur me Xhojsin.
Gjatë qëndrimit në Zvicër, gjendja e syve të shkrimtarit u përkeqësua; glaukoma kishte përparuar dhe nevojitej një ndërhyrje: e para nga 11 operacionet në 15 vitet në vijim. Pas operacionit, Xhojsit iu bashkua e shoqja, Nora. Në ditët që pasuan ai shkroi një nga poemat më të ndjera mbi humbjen e rinisë.
Gjatë qëndrimit në Zvicër, dy gra morën vëmendjen e Xhojsit, të dyja u përfshinë në historinë e "Uliksit". E para ishte Gertrude Kaempffer, një 26-vjeçare në luftë me tuberkulozin, me të cilën Xhojsi lidhi një korrespondencë erotike, ashtu si personazhi i tij, Blumi, në "Uliksi". E dyta ishte Marthe Fleischmann. Shtëpitë e tyre ishin përballë dhe Xhojsi e kishte bërë zakon ta shihte nga dritarja ndërsa ajo ishte në banjë. Marthe ishte simpatike, e këndshme dhe çalonte pak në të ecur (ashtu si Gerty në "Uliksi").
Në maj 1919, Xhojsi u takua me baroneshën St Leger, e cila jetonte në ishullin e vogël të Brisagos. Në atë kohë ai po punonte mbi episodin e Circes, e cila te Homeri është një krijesë joshëse që e ktheu Odisenë në lodrën e saj të preferuar. Xhojsi mendoi se baronesha ishte perfekte për këtë personazh: ishte martuar tri herë dhe vetë Xhojsi e pagëzoi "sirena e Lago Maggiore”.
Zyrihu i tejmbushur me emigrantë lufte i dha Xhojsit atmosferën dhe kakofoninë njerëzore për ta përdorur në kryeveprën e tij.
Me nisjen e Luftës së Dytë Botërore, Xhojsi me Norën dhe fëmijët u kthyen sërish në Zvicër, vendi ku kishin kaluar disa nga krizat më të mëdha në jetën e tyre. U pëlqenin vendasit dhe virtytet që mbartnin. Xhojsi madje i shkroi edhe një letër kryebashkiakut të Zyrihut, për ta falënderuar për mbështetjen e dhënë në kohëra të errëta.
Xhojsi vdiq në Zyrih, në moshën 59-vjeçare dhe është varrosur pranë Norës, dashurisë së jetës së tij./botimeshqip.com/