Europë, viti 1914.
Koha kur Fuqitë e Mëdha janë në garë me njëra-tjetrën për rritjen e influencave të tyre të çdo lloji në botë, por sidomos në Ballkan.
Agjentët sekretë të këtyre vendeve veprojnë në terren, të kamufluar nën petkun e arkeologut, arkitektit, historianit apo sipërmarrësit dhe përpiqen me të gjitha mënyrat për të zbuluar lojën e kundërshtarëve.
Pikërisht në këtë periudhë, byroja e njohur si më sekrete dhe më e respektuar e të gjitha byrove të spiunazhit botëror, me emrin Drejtoria e Përgjithshme për Hetim dhe Shqyrtim e Britanisë së Madhe, merr përsipër të hetojë nga afër një problem kyç për atë vetë. Burri i vjetër – njeriu që lëvizte në prapaskenë të gjitha fijet e agjenturës angleze të spiunazhit të asaj kohe – organizon misionin e katër agjentëve të tij në Ballkan dhe në vende të tjera të Europës.
Nëpërmjet këtij misioni përpiqet të kuptojë lojën e Merimangës – kundërshtarit të tij më të fortë dhe me ndikim të madh në Berlin, Vjenë dhe në Ballkan.
Ndërkohë që ky mision ende vazhdonte veprimtarinë e vet, një ngjarje e rëndë trondit botën: në Sarajevë, në kryeqytetin e Bosnjës, vritet arkiduka Franc Ferdinandi, princi trashëgimtar i Perandorisë Austro-Hungareze së bashku me të shoqen, nga serbë të lidhur me Shërbimin Sekret Ushtarak të Beogradit. Është 28 qershori i vitit 1914. Por cili qe roli i agjenturave sekrete të Fuqive të Mëdha në këtë ngjarje, që çoi në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore?
Ç’fat i priste agjentët që vepruan në Ballkan në këtë periudhë? Çfarë zbuluan ata në kancelaritë e kryeqyteteve të këtyre vendeve, cilat qenë konfliktet, kush i nxiste dhe si krijoheshin opinionet për zhvillimet e ngjarjeve në këto territore në atë periudhë? Robert Wilton Zëvendësambasadori i OSBE-së në Tiranë ka zgjedhur këtë histori për të shpjeguar Shqipërinë, Bosnjën, Serbinë dhe Europën në prag të Luftës së Parë Botërore.
“Merimanga e Sarajevës”, quhet libri i cili sapo ka ardhur në gjuhën shqipe nën përkthimin mjeshtëror të shkrimtares Diana Çulit, e botimeve “Toena”. Robert Wilton është shkrimtar, përkthyes i poezisë shqipe në gjuhën angleze dhe bashkëthemelues i shoqatës bamirëse The Ideas Partnership në Kosovë.
Ai ka punuar në sektorë të ndryshëm të qeverisë britanike, duke përfshirë dhe detyrën si Sekretar Privat i tre Sekretarëve të Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Mbrojtjen. Ka qenë këshilltar i kryeministrit të Kosovës në periudhën e luftës për pavarësi e më pas ka punuar si drejtor i Zyrës Ndërkombëtare të Monitorimit dhe të Këshillimit për Qeverinë e Kosovës.
Robert Wilton është i njohur për një numër romanesh të ciklit Drejtoria e Përgjithshme (The Comptrollerate-General): Merimanga e Sarajevës (The Spider of Sarajevo), Fusha e tradhtarit (Traitor’s Field), Batica e tradhtisë (Treason’s Tide). Është vlerësuar nga Historical Writer’s Association, me çmimin Goldsboro Crown për romanin historik më të mirë debutues. Sot punon në Tiranë, në detyrën e zëvendësambasadorit të OSBE-së, shkruan Gazeta-Shqip.
●●●
NLSHKRIMI NGA
N LL
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.