Lajmet e fundit

‘Ndërmarrje e përbashkët kriminale’. Kjo është kryefraza se si Jack Smith, kryeprokuror i Speciales i referohet UÇK-së në aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Se lufta e kësaj ushtrie nuk përkufizohet me krim, mbrojtja e ish presidentit u mundua ta dëshmojë në dosjen paraprake që dorëzoi të martën.
“Kosova e pavarur nuk është më rezultat i një lufte, të mbështetur nga aleatët ndërkombëtarë, për liri nga regjimi represiv dhe brutal serb. Në vend të kësaj, sipas ZPS-së, shtetësia e Kosovës është rezultat i një plani kriminal kompleks dhe të gjerë për të fituar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes kryerjes së krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, nën sytë vigjilentë të po këtyre aleatëve ndërkombëtarë”, tha Gregory Kehoe, avokat i Hashim Thaçit.
Por që Gregory Kehoe dhe një duzinë avokatësh që qëndrojnë mbrapa Hashim Thaçit, t’i mbështesin krejt të dhënat e dosjes në prova, jo ndihmë, por veç pengesa u dalin prej Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Lista e dëshmitarëve të ZPS-së vazhdon të ndryshojë, me ndryshime të rregullta, dhe ZPS-ja do të fillojë të japë rendin e paraqitjes së dëshmitarëve vetëm në nëntor 2022. Përgatitjet e mbrojtjes ende pengohen nga aktakuza e redaktuar rëndë, dhe 96 dëshmitarë të ZPS-së mbeten anonimë. Zbulimi i ZPS-së mbetet i paplotë dhe 46,000 faqe me materiale të reja.”, thuhet në dosje.
Para se të niste dorëzimi i dosjeve paraprake, ndaj katërshes në Hagë janë mbajtur 15 konferenca statusore, ndërkaq gjykimi pritet të nis në fillim të 2023-ës.