Pengmarrje e shumëfishtë politike dhe e sigurisë.
Nuk është hera e parë, fatkeqësisht, nuk do të jetë as e fundit, që nocioni i pengmarrjes tregohet më adekuati, më i qëndrueshmi, në përshkrimin e raporteve të krijuara në mes të Kosovës dhe Serbisë, teksa gjithnjë e më shumë po kuptohet që normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, që është busullë orientimi në bisedimet e Brukselit tash e 12 vjet, nënkupton pikërisht ndarjen finale të fateve të Kosovës dhe Serbisë.
Sado paradoksalisht duket, kjo ndarje e fateve është sa interes i Kosovës, aq edhe interes i Serbisë. Sepse, nëse këto dy shtete duan ta kenë fatin e njëjtë në Bashkimin Evropian (duke u bërë shtete anëtare të BE-së), atëherë, shumë më herët duhet përfundimisht t’i ndajnë rrugët e tyre vetanake: Për vete, dhe për BE-në.
Shumëkush këndejpari mund të shtojë këtu me të shpejtë që Kosova e ka udhën e vet që nga qershori i vitit 1999, kur u çlirua nga Serbia, gjë që u konfirmua edhe në vitin 2008, kur Kosova u bë shtet i pavarur.
Kjo është e saktë. Deri diku. Por jo plotësisht.
Kosova doli në vitin 1999 nga kobi historik i okupimit nga Serbia, por Serbia, me strukturat e saja shtetërore, asnjëherë, pra, as sot e kësaj dite, nuk doli nga Kosova.
Politika e të gjitha Qeverive të Serbisë, pa marrë parasysh se prej kujt është udhëhequr, ka qenë e njëjtë: Gjendja në Kosovë, me praninë ndërkombëtare politike dhe ushtarake, dhe me sundimin e shumicës, me parimin demokratik, është vlerësuar si e përkohshme. E përkohshme, qoftë edhe kjo do të zgjatë me dhjetëra vjet, apo me shekuj. Në këtë kontekst pra, Kosova llogaritet si një territor i okupuar, përkohësisht, i cili herët a vonë, do të çlirohet: Prej ndërkombëtarëve dhe prej shumicës shqiptare.
Ky pikëshikim mund të shprehet me gjuhë të moderuar, plot ‘mëlmesa’ diplomatike perëndimore, apo, me gjuhë radikale, të denjë për qarqet e ekstremit të djathtë në Serbi, por esenca është një dhe e njëjta: Refuzimi i realitetit në Kosovë, kualifikimi i tij, i këtij realiteti, si gjendje kalimtare.
Kjo është zatën arsyeja kryesore pse Aleksandar Vuçiq, Presidenti i Serbisë, nuk dha pëlqimin as në Bruksel (me 27 shkurt), dhe as në Ohër (me 18 mars), që ta nënshkruajë Marrëveshjen për ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Mund të thonë sa të duan, dhe me të drejtë, diplomatët perëndimorë, që sipas Konventës së Vjenës, edhe pajtimi gojor për një Akord ndërkombëtar, mjafton që të obligojë te dy palët për implementimin e tij.
Por sipas ‘Konventave të Serbisë’ (të cilat tutje janë në fuqi në Serbi), mos-nënshkrimi i këtyre Marrëveshje flet që lidershipi i Serbisë nuk është pajtuar, me vullnetin e tij, që raportet tash e tutje, në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të ndërtohen mbi parimin që Kosova dhe Serbia janë dy subjekte të pavarura ndërkombëtare.
Vuçiqi do të përpiqet që relacionet e Serbisë me Kosovën, çfarë do të duhej të ndërtoheshin tash e tutje, në bazë të Propozimit Evropian (i cili në ndërkohë mori formën e Marrëveshjes), të mbeten në sferën e asnjanësisë, apo të ’neutralitetit ndaj statusit’, që është një definicion fatkeq i bërë nga vet BE-ja, në fillimin e dialogut të Brukselit, atje në vitin 2011.
Kjo është “Vija e kuqe” kryesore e tij, e cila nuk do të kalohet në javët dhe muajt e ardhshëm, teksa paradoksalisht, atë disavantazhin evident politik, si pasojë e Luftës në Ukrainë, në vijim të agresionit të Rusisë, ky ka arritur ta kthejë në përparësi, në muajt e fundit, pikërisht për shkak të synimit të Perëndimit (në radhë të parë të SHBA-së), që ta kthejë mbarë dhe mirë Serbinë kah Perëndimi, edhe pse diçka e tillë, nuk është vetëm kauzë e Perëndimit, por është interes jetik i vet Serbisë.
Sidoqoftë, nëse këtu i kthehemi atij konceptit fillestar të pengmarrjes, Vuçiqi ditëve dhe javëve të fundit, po bën krejt çka është e mundur që ta forcojë zaptimin e fatit të komunitetit serb në Kosovë, duke mos lejuar, madje, as pjesëmarrjen e “Listës Serbe” në zgjedhjet lokale të 23 marsit, të cilat janë shkaktuar nga dalja prej institucioneve të politikanëve të zgjedhur serb.
Përmes këtij zaptimi, i cili ka shtrirje efektive veçanërisht në Veriun e Kosovës, Vuçiqi pastaj synon të mbajë peng edhe gjithë Kosovën, apo stabilitetin e saj të brendshëm dhe qëndrueshmërinë ndërkombëtare edhe ashtu të kontestuar (për shkaqe të njohura).
Braktisja e kësaj politike të pengmarrjes mund të ndodhë, sipas Vuçiqit, vetëm nëse merr koncesione të mëdha nga Kosova (territoriale, apo edhe asi në organizimin e brendshëm të shtetit të Kosovës), dhe nga Perëndimi (ndihmat financiare, përshpejtimi i integrimit të Serbisë në BE).
Kjo politikë e Vuçiqit duhet të zmbrapset. /Klankosova.tv
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS