Lajmet e fundit

Arrestohet Artan Ajruli, pronar i kompanisë “Ritron kopi” nga Kumanova. Arrestimi i tij vjen pas zgjerimit të hetimeve për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore, për të cilën akuzohen Bajrami dhe ish-zëvendëskryeministri i RMV-sw Artan Grubi, të cilët tashmë janë në arrati, raporton Alsat.mk, transmeton Klan Kosova.
Krahas padisë për Ajrulin, Policia Financiare ka dorëzuar padi të re edhe për ish drejtorin Përparim Bajrami, por edhe për dy drejtorë të Lotarisë, gjegjësisht për shitje Sali Rushiti dhe çështje komerciale si dhe për Teknologji Informatike Mujdin Zeqiri.
Bajrami, në cilësinë e drejtorit të Lotarisë, në periudhën prej vitit 2022 deri në vitin 2024, sipas Policisë Financiare i ka tejkaluar kompetencat duke nënshkruar fatura me përmbajtje të pavërteta për furnizimin e televizorëve, printerëve, kompjuterëve dhe pajisjeve komunikuese. Faturat janë përgatitur nga Ajruli, si pronar i “Ritron Kopi” edhe pse pajisjet elektronike nuk janë dorëzuar sipas modeleve të parashikuara në marrëveshjen për furnizime publike.
Në këtë mënyrë, sipas Policisë Financiare, kompanisë së Ajrulit i është mundësuar që të përfitojë pasuri të paligjshme në vlerë prej 50.000 euro. /Alsat.mk