Lajmet e fundit

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti është pritur sot në takim nga Kryetari i Kuvendit te Kosovës, Kadri Veseli, me të cilin ka biseduar për një varg çështjesh të rëndësishme lidhur me kulturën, rininë dhe sportin në vend.Zëvendësministri Hoti e njoftoi të parin e Kuvendit lidhur me proceset kryesore që po zhvillohen në MKRS sa i përket hartimit të strategjive, avancimit të legjislacionit, si dhe aktiviteteve të ndryshme, qoftë në fushën e trashëgimisë, kulturës dhe sportit.
Hoti theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe avancimit të raporteve në mes të dikastereve të caktuara në MKRS e posaçërisht në atë të trashëgimisë kulturore.Ndërkaq, kryeparlamentari Veseli konfirmoi mbështetjen e tij për MKRS-në duke thënë se kultura në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga pikat strategjike në avancimin e çështjes kombëtare. Veseli theksoi se MKRS është përkushtuar vazhdimisht për avancimin e kulturës, rinisë dhe sportit.
Temë e pashmangshme në mes të zëvendësministrit Hoti dhe Kryeparlamentarit Veseli ka qenë edhe gjendja aktuale politike në vend.Në takim, mes Hotit dhe Veselit u bisedua mbi mundësinë e një komunikimi brenda Kuvendit të Kosovës në mes të mazhorancës dhe opozitës si dhe u rishikua vizita e suksesshme e sekretarit amerikan, John Kerry i cili ofroi një substancë programore se në çfarë drejtimi do të duhej të ecin më tutje institucionet e vendit, transmeton Klan Kosova.