Lajmet e fundit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia mund të rrisë sulmet e saj në verilindje të Ukrainës, pas përparimit pranë qytetit të Kharkivit.
Zelensky e pranoi se kishte probleme me personelin ushtarak dhe moralin e ushtarëve, duke thënë se një numër brigadash ekzistuese qëndrojnë bosh.
Ai gjithashtu tha se flota ajrore ukrainase ka mungesa, teksa u bëri thirrje sërish aleatëve që ta mbështesin Ukrainën me më shumë avionë luftarakë.
“Sot kemi rreth 25% të asaj [avionëve luftarakë] që na nevojitet për të mbrojtur Ukrainën. Që Rusia të mos ketë epërsi ajrore, flota jonë duhet të ketë 120 deri në 130 avionë modernë”, tha Zelensky, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Forcat ruse kohët e fundit filluan një ofensivë verore, duke rrëmbyer një numër fshatrash në kufirin veri-lindor të Ukrainës pranë Kharkiv që është qyteti i dytë më i madh i vendit.
Guvernatori rajonal i Kharkivit, Oleg Synegubov tha të shtunën se rreth 10 mijë njerëz janë detyruar të largohen brenda pak më shumë se një jave.