Ukraina e ka akuzuar Moskën se po bën "luftë gazi" kundër Evropës dhe se po i ndërpren furnizimet për të shkaktuar "terror" mbi njerëzit.
Firma ruse e energjisë “Gazprom” njoftoi se do të reduktojë edhe një herë flukset e gazit në Gjermani për të lejuar punën në një turbinë në tubacionin Nord Stream 1.
Por presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ky është thjesht "shantazh gazi" kundër Evropës.
"Shantazhi me gaz për Evropën, i cili vetëm përkeqësohet çdo muaj, i nevojitet një shteti terrorist për t'i bërë më keq jetën çdo evropiani", tha Zelensky në adresimin e tij të zakonshëm të orëve të vona.
Ai tha se po synohet qëllimisht për ta bërë të vështirë për Evropën përgatitjen për dimër, duke mos pasë kujdes që si rezultat i kësaj njerëzit e varfër mund të vuajnë në muajt e ftohtë.
Gazsjellësi Nord Stream 1, i cili pompon gaz nga Rusia në Gjermani, ka punuar tash e disa javë nën kapacitetet e tij, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Në fillim të këtij muaji, tubacioni më i madh evropian i Rusisë u mbyll plotësisht për një pushim 10-ditor për mirëmbajtje, duke shkaktuar kështu frikë në Evropë se dërgesat nuk do të rifillonin fare.
Dërgesat rifilluan pesë ditë më parë - megjithëse ende me një kapacitet të reduktuar. Por të hënën, "Gazprom" njoftoi se do të shkurtojë furnizimin me gaz edhe një herë.
Këtë herë tha se duhej të shkurtonte furnizimin me gaz në rreth gjysmën e niveleve aktuale në mënyrë që të kryhen punët e mirëmbajtjes. Qeveria gjermane, megjithatë, thotë se nuk kishte asnjë arsye teknike që "Gazprom" të kufizojë furnizimin.
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.