Lajmet e fundit

“Zgjimi i Fineganit” nga James Joyce është përshkruar në shumë mënyra - nga një kryevepër te një libër i pakuptimtë dhe i palexueshëm. Por, sipas shkencëtarëve nga Instituti i Fizikës Bërthamore në Poloni, ai është thuajse njëlloj në strukturë me një "multifraktal matematikor", transmeton Klan Kosova.
Akademikët analizuan në mënyrë të detajuar statistikore 100 vepra botërore të letërsisë nga autorë si Dickens, Dumas, Mann, Eco dhe Beckett. Duke parë gjatësinë e fjalive dhe mënyrën se si ato varionin, ata zbuluan se një shumicë dërrmuese e teksteve të marra në studim përbëheshin nga një korrelacion në variacionet e gjatësisë së fjalive të udhëzuara nga dinamikat. Kjo do të thotë se konstrukti i tyre është një fraktal: një objekt matematikor në të cilin çdo fragment kur zgjerohet ka një strukturë që i ngjan së tërës.
Fraktalët përdoren në shkencë për të modeluar strukturat që përmbajnë forma të përsëritjes, përfshirë fjollat e dëborës dhe galaksitë.
“Të gjitha veprat e ekzaminuara tregojnë vetëngjashmëri në kuptimin e organizimit të gjatësisë së fjalive. Disa ishin më shprehëse – këtu doli në veçanti “Ambasadorët” e Henry James – ndërsa të tjerët ishin më pak të kuptimta si romanca franceze e shekullit 17, “Artamene ou le Grand Cyrus”.
Megjithatë, korrelacionet ishin evidente dhe kështu këto tekste ishin konstruksion i një fraktali, tha doktor Pawel Oswiecmika nga Instituti i Fizikës Bërthamore të Akademisë Polake të Shkencës, një nga autorët e studimit të ri të korrelacioneve në tekstet rrëfimtare.
Disa vepra, megjithatë, ishin më komplekse nga ana matematikore se të tjerat, ku rrëfimet e "përroit të vetëdijes" ishin më komplekset krahasuar me të tjerët. “Zgjimi i Fineganit” ishte më kompleksi nga të gjithë.
“Rekordin absolut në kuptimin e formave matematikore të përsëritjes e mban 'Zgjimi i Fineganit' nga James Joyce. Rezultati i analizave tona ndaj këtij teksti janë pothuajse të padallueshme nga multifraktalet matematikore ideale” – tha profesor Stanislaw Drozdz, një tjetër autor i studimit të publikuar në revistën "Information Sciences".
Vetëm Joyce, i cili thuhet se e shkroi “Zgjimin e Fineganit” – “për t'i mbajtur kritikët të zënë me punë për 300 vjet”, – mund ta ketë parashikuar këtë. Në një letër rreth romanit, “Puna në zhvillim e sipër” siç e njihte ai atëherë, Joyce i shkruan Harriet Weaver: “Jam vërtet një nga inxhinierët më të mëdhenj, nëse jo më i madhi, në botë, përveçse një muzikant, filozof dhe shumë gjëra të tjera. Të gjithë inxhinierët që i njoh e kanë gabim. Kaq thjesht. Po bëj një histori që nuk duhet të mendosh se vërtitet vetëm rreth një miu dhe një rrushi”.
Sipas akademikëve polakë, “Studimi i tipareve të ndryshueshmërisë së gjatësisë së fjalisë në tekstet e mëdha të letërsisë botërore tregon një libër që të tërheq dhe ka estetikë e cila krijohet nga alternimet e gjatësive të ndryshme të fjalive”.
“Një shumicë dërrmuese e teksteve të studiuara thjesht zbaton të tilla qasje fraktale, por veçanërisht për t’u vlerësuar në këtë aspekt janë novelat e 'Përroit të vetëdijes'. Ato duket se zhvillojnë një tipar të strukturave të përsëritura”.
Vepra të tjera që kanë ngjashmëri me strukturat matematikore janë të shkrimtarëve si Dave Eggers, Julio Cortazar, John Dos Passos, Virginia Woolf, Roberto Bolano.
Akademikët theksojnë se “fraktiliteti i një teksti letrar në praktikë nuk do të jetë kurrë aq perfekt sa në botën e matematikës, sepse fraktali matematik mund të shumëfishohet në infinit, ndërsa numri i fjalive në një libër është i fundmë".
“Nuk është ende plotësisht e sigurt nëse shkrimi i 'Përroit të vetëdijes' në fakt zbulon cilësi më të thella të vetëdijes sonë apo imagjinatën e shkrimtarëve” – tha Drozdz, duke sugjeruar që puna e shkencëtarëve mund të ndihmojë një ditë në vlerësimin më objektiv të librave në një zhanër.
Drozdz u shpreh se zbulimet mund të përdoren gjithashtu për të shtyrë shkrimtarët të eksplorojnë më tej natyrën dhe rregullin sipas të cilave funksionojnë gjërat.
“Ashtu si Joyce që kishte një lloj intuite, siç u ndodh të gjithë artistëve të mëdhenj, një mënyrë e tillë rrëfimi reflekton më së miri si punon natyra dhe që më pas kodohet në tekstet e tyre”.
Eimear McBride, veprat e së cilës kanë marrë shumë çmime ndërkombëtare, thotë se ajo nuk habitet nga zbulimi.
Sipas saj, shkrimi që vjen nga rryma e "Përroit të vetëdijes" për nga natyra kombinon përmbajtjen, kuptimin, estetikën dhe gjithashtu e përdor gjuhën si një objekt në vetvete për t'i riformuar rregullat e shkrimtarit në një kontekst.
Megjithatë, shkrimtarja u shpreh paksa e zhgënjyer që i gjithë synimi i studimit ishte përcaktimi më i saktë i zhanrit, ndërkohë që ai mund të ndihmonte në përsosjen e mënyrës së rrëfimit të historive.