David Young, avokati i Rexhepit Selimit, ka thënë se në aktakuzën kundër 10-shit të UÇK-së, nuk ka aludime që ky i fundit të ketë urdhëruar ndonjë krim dhe sipas tij, s’ka aludime që me veprime ose mosveprime të ketë shkaktuar krime.
Young tha se Selimi do të jetë në qendër të paraburgimit edhe për së paku dy vjet.
“Pretendohet se Selimi mbikëqyri përcaktimin e kufijve midis zonave e po kështu pretendohet se ai koordinohej dhe u informua përmes raporteve e mori pjesë në operacione ushtarake”.
“Kur i lexon këto pretendime, mund t’ia falësh kujtdo që të mos ta kuptoj. Ku qëndron kriminaliteti në këto veprime? Çfarë ka parë ZPS-ja për ta justifikuar aktakuzën ndaj Selimit, duke ia hequr lirinë për më shumë se 2 vjet dhe për një kohëzgjatje të pritshme prej së paku edhe 2 vjet të tjera”, është shprehur Young, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Young tha se sado që të përpiqet ZPS-ja që të kombinojë në këtë mënyrë apo në një tjetër kundër Selimit, sipas tij, provat nuk dëshmojnë që ai të ketë kontribuar në emër të një plani të përbashkët.
“Që nga dorëzimi i tij i parakohshëm në një stacion policie në muajin nëntor të vitit 2020, ku ai u informua për një urdhër-arrest të dyshuar kundër tij e deri te deklarata sot, Selimi është angazhuar tërësisht në këtë proces gjyqësor, pavarësisht njollosjes së pashmangshme që vjen si pasojë i të qenit i ndaluar në një vend të huaj, larg familjes, larg atdheut, për çlirimin e të cilit luftoi”, tha Young, njofton Klankosova.tv.
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.